Lifestyle

“Ruje Veten”, synon vetëdijesimin tek të rinjtë dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme

Organizata Education Code, në mbështetje të Departamentit të Rinisë në kuadër të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, është duke implementuar projektin ”Ruaje Veten” me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë në lidhje me shëndetin reproduktiv dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Aktivitetet kyçe të projektit janë kampanja digjitale ”Ruje Veten” dhe Paneli i Diskutimit që u mbajt sot me rastin e ”Ditës Botërore të Shëndetësisë”, me temë ”Shëndeti Reproduktiv dhe Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme”.

Duke pasur parasysh ndikimin e internetit e sidomos rrjeteve sociale tek të rinjtë, Education Code fillimisht ka lansuar kampanjën digjitale ”Ruje Veten” në Facebook https://www.facebook.com/rujeveten.

Kjo kampanjë ka filluar të sensibilizojë qindra të rinj në lidhje me mënyrën e mbrojtjes nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Ndërsa sot me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, në kuadër të projektit ”Ruje Veten”, ”Education Code” mbajti Panelin e Diskutimit me temë ”Shëndeti Reproduktiv dhe Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme”.

Për të diskutuar në lidhje me këtë temë, panelistet e ftuara ishin Dr. Zekie Shala Osmani – Gjinekologe, Dr. Njomza Geca – Infektologe, MSc. Arjeta Ahmedi – Psikologe, dhe Mimoza Krasniqi Stanovci – CEO ”Education Code”.

Panelistet e ftuara diskutuan në lidhje me mënyrën e ruajtjes së shëndetit reproduktiv dhe mbrojtjen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, e veçanërisht HIV AIDS-it. Gjithashtu, u trajtua edhe pjesa psiko-sociale e problematikës në shoqërinë tonë.