Lifestyle

“Trimi dhe e bukura”, serial i ri në KTV

Skemës programore të Kohavisionit do t’i shtohet edhe një serial i ri. “Trimi dhe e bukura” është titulli i telenovelës që do të nisë të transmetohet nga e hëna e 10 prillit në ekranin e KTV-së. Me titull origjinal “Cesur ve Güzel” është telenovelë televizive turke, e cila kishte nisur të transmetohej në “Star TV” në fund të vitit 2016. Është realizuar nën regji të Ali Bilgin, me producentë Kerem Çatay dhe Pelin Dishtash Yasharglu, dhe ka në role kryesore trimin Kivanç Tatlitug dhe të bukurën Tuba Büyüküstün.

Personazhi Tahsin është kryesues i familjes Korludagh. Ai është i pasur dhe të gjithë njerëzit që jetojnë përreth tij i frikësohen dhe e respektojnë. Ai i kontrollon të gjithë dhe gjithçka që ndodh në qytet. Ai e ka një djalë – që quhet Korhan - dhe një vajzë që quhet Sühan, të cilët i do më shumë se gjithkënd tjetër. Gruaja e Korhanit është duke dështuar në përpjekjet e saj për të mbetur shtatzënë dhe për të lindur një trashëgimtar për pasurinë e familjes para se një gjë të tillë ta bëjë Sühan.

Kështu që ajo provon ta vrasë atë, por planet e saj djallëzore prishen kur një i huaj i pashëm hyn në rrëfim, duke shpëtuar jetën e Sühanit. Ky djalosh i ri e i pashëm quhet Cesur Karahasanoghlu, i cili e ka ndryshuar mbiemrin e tij në Alemdaroglhu për të mos u identifikuar. Askush nuk e di që në venat e Cesurit rrjedh hakmarrja.

Ai është kthyer në familjen Korludagh për të rikthyer ato që i takonin të atit të tij, të cilin e kishte vrarë Tahsini para disa vjetësh. A do ta ndalë dashuria për Sühanin në planet e tij për hakmarrje, apo edhe kjo është thjesht pjesë e planeve të tij? Cesur do ta ketë shumë të vështirë duke luftuar ndërmjet dëshirës për hakmarrje dhe dashurisë e ndjenjave që ka për vajzën. Të gjitha këto shpalosen në ekranin e Kohavisionit çdo ditë nga e hëna deri të premten.

E hënë - e premte 21:30