Studimi zbulon që macet kanë të njëjtën inteligjencë si qentë

Studimi zbulon që macet kanë të njëjtën inteligjencë si qentë

19 shkurt 2017 15:36

Në hulumtimet e fundit, shkencëtarët japonezë kanë zbuluar se macet e kanë të njëjtën inteligjencë si qentë, kur bëhet fjalë për kujtesën episodike.

Kujtesa episodike është aftësia e kujtimit të detajeve autobiografike dhe kontekstuale nga e kaluara. Kur është fjala për kafshët, është e vështirë të zbulohet nëse ato e kanë një kujtesë të tillë. Megjithatë, kohët e fundit është treguar se qentë e kanë këtë aftësi për të kujtuar dhe tani atyre u janë bashkuar edhe macet.

Në studim, ekspertët i kanë studiuar 48 mace dhe ato duhej të kujtoheshin se nga cili tas kanë ngrënë tashmë, dhe cilët nuk i kanë përdorur pas një periudhe prej 15 minutash, transmeton Koha.net. Autorët e studimit thanë se macet e dinin saktësisht se ku ndodheshin tasat dhe e dinin se çfarë ushqime kishin ngrënë. Ato u kujtuan edhe se ekziston një tas prej të cilit nuk kanë ngrënë akoma.

Saho Takagi nga Universiteti i Kyotos beson se macet dhe qentë mund ta kujtojnë një ngjarje të kaluar, që do të thotë se ato kanë kujtesë episodike. Ajo madje thotë se maceve u pëlqen t’i kujtojnë në mënyrë aktive përvojat e kaluara.

“Macet e kanë të njëjtën inteligjencë si qentë, gjë që është në kundërshtim me besimin e përbashkët se qentë janë më të mençur se ato”, tha Takagi. Ajo beson se ky hulumtim mund të ndihmojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira midis pronarëve dhe kafshëve të tyre.

Shkencëtarët në të ardhmen do të përpiqen të zbulojnë nëse macet mund t’i kujtojnë ngjarjet nga e kaluara e largët. Studimet kanë treguar se qentë kanë kujtime të ngjashme lidhur me ndonjë kohë dhe vend të caktuar.

Ky hulumtim është publikuar në revistën Behavioral Processes.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme