Kuriozitet

Rekord lindjesh në Islandë 9 muaj pas Europianit

Një mjek nga Rejkjaviku: “Boom” lindjesh këtë javë në spital, pikërisht 9 muaj pas ndeshjes historike Islandë-Angli 2-1

Suksesi historik i Islandës në finalet e “Euro 2016”, fitorja e paharrueshme dhe kualifikimi i saj në kurriz të Anglisë në “Euro 2016”, transmeton Shqip, duket se ka frymëzuar një brez të tërë të rinj tifozësh, të cilët kanë lindur 9 muaj pas atij momenti deliri të këtij populli ishullor.

Referuar informacioneve nga spitalet (maternitetet) islandeze, është zbuluar se ka ardhur në jetë një numër rekord foshnjash të hënën, pikërisht nëntë muaj pas natës heroike në Nisë.

Kombëtarja islandeze e futbollit, e cila renditet e 23-ta në botë, ka gëzuar një prej sukseseve më të mëdha të veta sportive, kur mposhti “Tre Luanët” me rezultatin 2-1, më 27 qershor të vitit të kaluar.

Rezultati shkaktoi festime të mëdha nga tifozët e ngazëllyer islandezë në Francë, si dhe në bare e restorante të vendit të tyre. Dhe natyrisht, këto festime kanë kulmuar plotësisht natën e 27 qershorit, që ka qenë tejet e nxehtë, çka konfirmohej edhe nga stafi i “Landspital” gjatë fundjavës, që njoftoi për një rekord lindshmërie, si asnjëherë më parë.

Asgeir Peter, një mjek në shërbim, ka postuar një “tweet” në profilin e tij: “Është vërtet një numër rekord, jo rastësisht ndodh nëntë muaj pas fitores 2-1 ndaj Anglisë”.

Një rastësi? Ndoshta. Edhe Zherard Pike, pas përmbysjes historike të Barcelonës ndaj PSG-së, në qiellin e shtatë, kishte shpjeguar festën gjatë mbrëmjes: “Infermieret duhet të kenë punë pas nëntë muajve të ardhshëm, sepse sonte është bërë shumë dashuri…”.

{gallery}