Kuriozitet

63-vjeçarja shqiptare e fiksuar pas Facebookut

Çdokush i përdor rrjetet social, për të kaluar kohën e lirë, apo për të komunikuar me shoqërinë dhe me të afërmit.

Kohët e fundit, Facebooku është kthyer në një nga platformat që përdoret më shumë nga shqiptarët. Por përdorues të këtij rrjeti social nuk janë vetëm të rinjtë, por janë dhe të moshuarit.

Behare Mema, 63 vjeç, ka rreth 3 vite që ka hapur llogarinë e saj në Facebook. Ajo ka njohur shumë miq të rinj dhe tregon për Klan Plus të Tiranës se përdorimi i këtij rrjeti social është kthyer në pjesë të përditshmërisë së saj.

“Sa zgjohem në mëngjes, direkt do të hap telefonin, kush më ka çuar ndonjë mesazh, e më pas i përshëndes të gjithë mirëmëngjes. I çojmë njëra-tjetrës figurat e ndryshme, përshëndetjet…”.

Beharja shprehet se nëpërmjet Facebookut, ka rigjetur shoqet e saj më të vjetra, me të cilat kishte shumë kohë që nuk fliste.

“Paska qenë shumë i domosdoshëm, pasi kisha 30 vjet me shoqet e mia, që unë nuk kisha folur, që në 91’shin, kur u shkëputëm nga ndërmarrjet. Facebooku bëri që të ishim shumë afër me njëra-tjetrën”.

Megjithëse shumë mund të mendojnë se kjo platformë komunikimi përdoret vetëm nga të rinjtë, 63-vjeçarja shprehet se edhe personat në moshë mund ta përdorin lehtësisht dhe pse teknologjia ka avancuar së tepërmi

“E pata të vështirë në fillim se thashë nuk do e mësoj dot, por ja që nuk kishte hiç i vështirë. Vetëm Facebooku nuk ka moshë. Sidomos për neve qenka, jo për të rinjtë se ata ndoshta kanë mundësinë edhe të takohen, kurse neve nuk takohemi, vetëm përshëndetemi me anë të Facebookut.”

Sipas studimit më të fundit të eMarketier, Facebook është më i përdorur nga personat e grupmoshës 55-65vjeç në Britani, teksa të rinjtë zgjedhin të përdorin rrjetin social Instagram dhe Snapchat.