Kuriozitet

Kirurgu i operon trurin pacientit të gabuar

Një neurokirurg në spitalin më të madh të Kenias është suspenduar pasi ka kryer një operacion truri në një pacient të gabuar.

Skandali, që ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, është drama e fundit që ka goditur Spitalin Kombëtar Kenyatta javëve të fundit, pas pretendimeve për sulme seksuale nga stafi ndaj pacientëve, si dhe vjedhjes së një bebeje, transmeton Koha.net.

Spitali ka thënë se kirurgu, sikurse edhe dy infermiere dhe një anesteziolog, janë suspenduar dhe aktualisht janë duke u kryer hetime në lidhje me operacionin “në pacientin e gabuar”.

Ministri i Shëndetësisë, Sicily Kariuki, ka suspenduar edhe Drejtorin e spitalit për shkak të këtij skandali.

Gazeta “Daily Nation” ka zbuluar se të dielën e kaluar, në spital janë paraqitur dy pacientë.

Njëri kishte nevojë për operacion për t’i hequr një mpiksje gjaku në trurin e tij, ndërsa tjetri kishte nevojë vetëm për ilaçe për shkak të ënjtjes së kokës.

Pas disa orësh që kishin nisur operacion, mjekët zbuluan se pacienti që e kishin hapur nuk kishte mpiksje gjaku në tru, dhe se në fakt e kishin operuar pacientin e gabuar, shkruan gazeta në fjalë, transmeton Koha.net.

Kenyatta është spitali më i vjetër dhe më i madh i Kenias, i cili po ashtu shërben edhe si spital shkollë.