Zbulohen mbetje njerëzore mbi 9 mijë vjet të vjetra në një shpellë gjigante në Meksikë Foto: AP

Zbulohen mbetje njerëzore mbi 9 mijë vjet të vjetra në një shpellë gjigante në Meksikë

20 shkurt 2018 11:25

Arkeologët që po eksplorojnë shpellën më të madhe të vërshuar nga uji në Meksikë kanë gjetur mbetje njerëzore së paku 9,000 vjet të vjetra si dhe eshtra të kafshëve që kanë jetuar në Tokë gjatë epokës së fundit të Akullit.

Një grup zhytësish kohë më parë lidhën dy shpella në Meksikën lindore për të zbuluar atë që besohet se është shpella më e madhe e vërshuar nga uji në planet, zbulim ky që mund të ndihmojë në zbardhjen e civilizimit antik Maja, raporton Reuters.

Image

Gadishulli Yucatan është i mbushur me relikte monumentale të popullit Maja, qytetet e të cilëve u ndërtuan mbi një rrjet të gjerë të vrimave të lidhura në ujëra nëntokësore të njohura si “cenote”.

Hulumtuesit thonë se kanë gjetur 248 ‘cenote’ në sistemin e shpellës 347-km e njohur si Sac Actun, afër resortit turistik Tulum. Nga 200 zona arkeologjike të zbuluara atje, rreth 140 prej tyre janë të majave, transmeton Koha.net.

Disa ‘cenote’ kanë pasur rëndësi të veçantë religjioze për majat, pasardhësit e të cilëve vazhdojnë të jetojnë në rajon.

Përveç mbetjeve njerëzore, ata kanë gjetur edhe eshtra të gjitarëve gjigantë, elefantëve antikë dhe arinjve të zhdukur nga periudha e Pleistoceneve*, ka thënë ministria e Kulturës në Meksikë.

Image

Zbulimi i shpellës ka tronditur botën arkeologjike.

“Mendoj se është madhështore. Pa asnjë dyshim, është vendi më i rëndësishëm arkeologjik nënujor në botë”, ka thënë Guillermo de Anda, hulumtues në Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë në Meksikë (INAH).

De Anda është edhe drejtor i Gran Acuifero Maya (GAM), një projekt ky i dedikuar studimit dhe mbrojtjes të ujërave nëntokësore të gadishullit Yucatan.

Sipas INAH, nivelet e ujit u rritën për 100 metra në fund të Epokës së Akullit, duke vërshuar sistemin e shpellës dhe duke çuar në “kushte ideale për mbrojtjen e mbetjeve të megafaunës së zhdukur nga periudha e Pleistoceneve”.

*Periudha gjeologjike e Pleistocenit, epoka më e fundit e akullnajave, filloi 2.6 milionë vjet më parë dhe përfundoi rreth 11.700 vjet më parë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme