Kuriozitet

Qentë e Siberisë, një atraksion i vërtetë në parkun në Moskë

Parku “Husky“ në afërsi të qendrës së Moskës, gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një atraksion turistik, nga shkaku se vizitorët e tij mund të mësojnë shumë për jetën në Siberinë e largët, përfshirë këtu edhe për qentë siberianë.

Nomadët nga veriu i Siberisë u rrëfejnë vizitorëve traditat dhe mënyrën e jetesës në Siberinë e ftohtë, ndërsa një gëzim të jashtëzakonshëm për fëmijët paraqet mundësia e rrëshqitjes në sliten, të cilën e tërheqin qentë siberianë.

Ritualet fetare, tendat, teknikat e veçanta të peshkimit dhe gjahut, janë pjesë përbërëse të traditës siberiane të cilën turistët në parkun e Moskës mund ta njohin nga afër, pa shkuar në udhëtimin e shtrenjtë në rajonin e largët lindor.

Kujdestarja e parkut në fjalë, Elena Kuzmina, tha për AA se qentë siberianë bëjnë pjesë në llojin e qenve punëtorë, të cilët e duan njeriun, gjë e cila mund të vërehet sidomos nga më të vegjlit.

“Qentë i ushqejmë me produkte shumë ushqyese në të cilat ka shumë peshk. Ata janë imun nga i ftohti ekstrem, por mund të adaptohen edhe në kushte më të ngrohta moti”, tha Kuzmina.

Olit Tevlyanaut u prezanton vizitorëve traditat e popullit siberian, ndërkohë që për AA, tha se të gjithë vizitorët mbeten të mahnitur nga kultura, por edhe nga kushtet e rënda në të cilat jeton ai popull.

Njëra prej vizitorëve që pati mundësi të mësojë nga afër për jetën në Siberi, Kara Rusalieva, tha se moment i veçantë ka qenë njohja me qentë e Siberisë.

“Kjo më intrigoi akoma më shumë të vizitoj Siberinë një ditë, por ajo që druaj, janë kushtet ekstreme të motit. Ky është një rast i jashtëzakonshëm të mësojmë diçka mbi kulturën e atij rajoni”, tha Rusalieva.