Në qytetin e thatë të Afrikës së Jugut ka rënë shi i shkurtër

Në qytetin e thatë të Afrikës së Jugut ka rënë shi i shkurtër

11 shkurt 2018 12:41

Kur parashikimi doli i vërtetë dhe shiu ra, banorët e Cape Town në Afrikën e Jugut u lumturuan dhe dolën jashtë për të ndjerë ujin mbi lëkurën e tyre.

Në këtë qytet të dërrmuar nga thatësira, shiu ishte mirëpritur, megjithëse ranë vetëm 8 milimetra. Gëzimi për shiun, sado pak që ra, është i kuptueshëm pasi banorët e qytetit prej javësh janë urdhëruar të përdorin ujin me kufizim të skajshëm, pasi ekziston mundësi e vërtetë që qyteti të mbesë pa ujë.

Që prej janarit, banorët mund të përdorin vetëm 50 litra ujë për person në ditë, sasi që mjafton për një dush të shkurtër, një zbrazje e depozitës së banjës, si dhe një lavatriçe me rroba në javë.

Në internet, shiu i shkurtër u komentua gjatë nga banorët dhe mes komenteve të pëlqyera ishte ai që thoshte se edhe reshjet janë shkurtuar për shkak të ligjit për kufizimin e ujit, transmeton tch.

Pas shiut, i vetmi i mërzitur në Cape Town ishte pastori Paseka “Mboro” Motsoeneng, i cili tha se ishte lutur për shiun dhe si profet i vërtetë që është e mbajti premtimin, por mediat nuk i kishin kushtuar rëndësi.

Fatkeqësisht për banorët e qytetit zor se ky shi i zgjidh problemet e tyre dhe ata presin me frikë datën 11 maj, apo ditën zore, kur është parashikuar se rubinetat në shtëpitë e tyre nuk do të nxjerrin më ujë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme