Fituesja e 559 milionë dollarëve në lotari i frikohet mallkimit

Fituesja e 559 milionë dollarëve në lotari i frikohet mallkimit

08 shkurt 2018 23:15

Një muaj më parë fitoi plot 559 milionë dollarë, por gruaja nga New Hampshire kërkon nga zyrtarët të mbetet anonim, pasi ka frikë.

Ajo dëshiron që të mos i mësohet emri me shpresën se kështu do të arrijë t’i shpëtojë mallkimit, të lidhur sipas saj me pasurinë e madhe që mbërrin në mënyrë kaq të befasishme. Mediat amerikane shkruajnë se fituesja e kësaj shume marramendëse është përfshirë në një betejë të zgjatur ligjore për të mbajtur të fshehtë emrin e saj.

Organizuesit e lotarisë këmbëngulin se ligjet lokale kërkojnë të shpallet emri i fituesit, çmimi dhe qyteti, në mënyrë që publiku të mësojë se çfarë ndodh. Por gruaja të cilën e ka kapur frika, edhe në dokumentet e paraqitura në gjykatë, e thekson se po përpiqet ta shmangë fatin e keq që ka pllakosur mbi disa fitues.

Në vitin 1996, Jeffrey Dampier mori 20 milionë dollarë nga lotaria në Illinois. Ai jetoi i lumtur për disa vite, derisa në 2005-n u qëllua për vdekje nga kunata e tij, e cila donte ta zhvaste.

Kur siguroi 31 milionë në lotarinë e Teksasit në vitin 1997, Billie Bob Harrell mezi priste të shijonte jetën e re dhe ishte shumë bamirës, por prej zemërgjerësisë së tij për të ndihmuar të huajt, familja u detyrua disa herë të ndërronte shtëpi e numra telefoni. Situata e krijuar e çoi drejt divorcit e në fund, dy vite pasi kishte marrë paratë vrau veten.

Deborah McDonald fitoi vetëm 5.000 dollarë përpara 8 vitesh, por edhe pse shuma ishte shumë e vogël krahasuar me të tjerët, as ajo nuk shpëtoi nga fati i keq. Rrugës për në shtëpi u godit nga një makinë dhe vdiq në vend. Në vitin 2006, 42-vjeçari Abraham Shakespeare nga Florida fitoi 17 milionë dollarë.

Ai u vra 3 vite më pas nga DeeDee Moore, një grua që e vuri në shënjestër për paratë e tij. Doris Murray nuk i gëzoi dot 5 milionë dollarët e fituar në vitin 2007. I dashuri i saj e masakroi me thikë, sepse nuk binte dakord me mënyrën sesi donte ajo t’i shpenzonte paratë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme