Kuriozitet

BirdLife: Kriporja e Ulqinit ndër 6 habitatet e pazakonta për shpendët në botë

Kriporja e Ulqinit është top destinacion i cili do t’ju befasojë, thuhet në tekstin e publikuar në faqen e organizatës globale për mbrojtjen e shpendëve, habitateve të tyre dhe diversitetit biologjik BirdLife International, transmeton ul-info.

Autori i tekstit posaçërisht veçon basenet e kësaj perle të Ulqinit. “Edhe pse është bërë nga dora e njeriut, nuk do të thotë se nuk janë të mirë për shpend. Ruajtja e ambientit natyror dhe prodhimi i kripës mund të shkojnë dorë për dorë, ndërsa shpendët e ujit e pëlqejnë ushqimin në ujërat e cekëta të baseneve të Kripores. Me nxjerrjen e kripës me vlimin natyror të ujit të detit, këto hapësira të mëdha shpesh janë pushim kyç për shpendët në udhëtimin e tyre migrues”, thuhet në artikull dhe shtohet se “basenet mahnitëse të Kripores së Ulqinit në Mal të Zi janë habitate të gjalla për 252 lloj shpendësh, përfshirë këtu edhe flamingot dhe pelikanin dalmatin”.

“Mirëpo, basenet e njelmët po mbyllen rreth e qark botës, sepse nuk konsiderohen si rentabilë – dhe në një moment ky lokalitet për pak u shndërrua në hotel dhe fushë golfi. U ruajt për momentin, beteja vijon”, përfundojnë në BirdLife.