Kuriozitet

Thesari misterioz që kërkohet për më shumë se 200 vjet

Ishulli i vogël në gjirin kanadez Mahone, në Skocinë e Re për më shumë se dy shekuj ka ndezur imagjinatën e gjuetarëve të thesareve.

Oak Island është në pronësi private prej rreth 57 hektarë dhe shtrihet 200 metra në jug të bregut të Skocisë së Renë Kanada.

Kryesisht është i mbuluar me pyje të dendura dhe është njëri nga 360 ishujt e gjirit Mahone. Në Oak Island ekzistojnë teori të shumta për arin dhe artefakte të rralla, të cilat mund të zbulohen.

Gjuetarët e arit misterioz kryesisht koncentrohen në pjesën Money Pit, formacion i shkëmbinjve i quajtur Kryqi Nolan, plazhi te shpella Smith dhe kënetat e vogla.

Kërkimi pas arit të fshehur të ishullit filloi në vitin 1795, kur 18-vjeçari Daniel McGinnis vërejti një dritë nga drejtimi i ishullit. Ai në pjesën juglindore gjeti një pllakë guri, nën dhe. Duke vazhduar gërmimin së bashku me dy shokët e tij, çdo tri metra gjenin shtresa të pllakave që “sugjeronin” se diçka e vlefshme fshihet thellë nën sipërfaqe, por pas rreth dhjetë metrave ata hoqën dorë dhe u larguan nga ishulli pa asgjë.

Lajmi për kërkimin e tyre u përhap me të shpejtë dhe doli në gazeta lokale. Tetë vjet më vonë 'Onslow Company' nisi kërkimet dhe në thellësi prej 27 metrash gjetën një guri me simbole të pazakonshme. Kompania u tërhoq nga kërkimet për shkak të vërshimeve të ujit.

Në vitin 1849, në aventurë u hodh edhe kompania 'Turo', e cila pas shpimeve hasi në një shtresë metali dhe argjilës në trashësi prej dy metrash. Kompania hoqi dorë pa shpjegime nga kërkimet.

Ato vazhduan në vitin 1861, kur një pjesë e gërmimeve u shemb papritmas dhe mbeti mister shkaku i gjithë kësaj ndodhie. Atëherë u regjistrua edhe rasti i parë i vdekjes së një punëtori nga pompa, e cila eksplodoi.

Edhe disa të tjerë u përpoqën të vazhdojnë shpimet në ishull, por pa sukses deri në vitet '60-ta të shekullit 20.

Në vitin 1967, vrima ishte e thellë madje 72 metra. Aty u lëshua kamera, e cila gjeti mbetje njerëzore, arka druri dhe vegla. Kualiteti i xhirimit ishte aq i dobët sa që këto pohime nuk janë konfirmuar asnjëherë.

Disa janë të bindur se aty fshihen dorëshkrime të Shekspirit, thesari i masonëve, apo edhe gurët e çmuar të Maria Antoneta. Disa pretendojnë se bëhet fjalë për vendin prej nga ishte nisur anija e vikingëve, gjë të cilën e dëshmojnë shtresat e gjetura nga kërkuesit. Më shumë se 50 libra janë shkruar rreth arit misterioz dhe është regjistruar edhe një dokumentar.

Marty dhe Rick Lagina, amerikanë nga Kingsford, Michigan, të mahnitur nga rrëfimet për arin në Oak Island kontaktuan pronarin e ishullit Oak Island Tours për të blerë një pjesë të pronësisë dhe atyre shumë shpejt iu paraqit kompania Prometheus Entertainment, duke ofruar mbështetjen në kërkim të thesarit.

Ata kontaktuan babanë dhe djalin Dana dhe Dave Blackenship, banorët e ishullit që kanë qenë duke kërkuar arin që nga vitet 1960 dhe bashkuan forcat me ta.

Rick është një postier i pensionuar dhe është i vendosur të gjejë një thesar. Marty, një biznesmen dhe milioner, mbështet financiarisht projektin, duke shpresuar ta kthejë ishullin në një destinacion turistik.

Në sezonin e parë të dokumentarit "Curse of Oak Island", ata zbuluan një monedhë nga vitet 1600. Rick mendon se ata që kapen në ishull kurrë nuk heqin dorë dhe thonë se ishulli gjithmonë jep pikërisht atë që duhet për të parë më tej, transmeton KosovaPress.

Seria u shfaq premierë në kanalin History në Kanada më 5 janar 2014 dhe që atëherë ajo është regjistruar për pesë sezone, dhe e fundit është duke u shfaqur. Katër episode të tjera do të transmetohen, dhe nëse vëllezërit gjejnë atë që po kërkojnë - mbetet për t'u parë.