Kuriozitet

New York - Londër, shënohet rekord i ri fluturimi

Në fillimin e muajit janar, kompania ‘Norwegian Airlines’ u vlerësua në media për fluturimin e saj ‘low cost’ më të gjatë në botë (Londër-Singapor, 10 885 km për 13 orë pa ndërprerje).

Këtë të hënë kompania skandinave vendosi një tjetër rekord: një avion Boeing 787-9 Dreamliner i kësaj kompanie, u nis nga aeroporti JFK i New Yorkut dhe mbërriti në Gatwick të Londrës për 5 orë e 13 minuta, duke shënuar rekordin e ri të fluturimit transantlantik.

Më të lumturit padyshim kanë qenë 284 pasagjerët e këtij fluturimi, të cilët janë nisur në orën 11.44 dhe mbërritën në Londër në orën 21.57, 53 minuta më shpejt nga parashikimi. Erërat e forta të Oqeanit Atlantik e kanë shtyrë avionin të kapë shpejtësinë maksimale prej 776 milje në orë ose përafërsisht 1250 km/h, transmeton Koha.net. Rekordin e mëparshëm e mbante një Boeing 777 i British Airways në vitin 2015, i cili të njëjtën distancë e ka përshkuar për 5 orë e 16 minuta.

Shumë entuiziast ka qenë piloti i këtij avioni, Harold van Dam: “Ishim në fluturim për pak më shumë se 5 orë dhe nëse nuk do ishin disa zona me turbulencë në kuotë të ulët do të mund të fitonim edhe më shumë kohë. Është kënaqësi të fluturosh me Boeing 787-9 Dreamliner dhe akoma më e madhe është kënaqësia që kemi arritur rekordin me këtë avion”, deklaroi piloti.

Një ditë më vonë, 2 avionët e të njëjtës linjë, mbajtën të njëjtën performancë, duke realizuar fluturimet e tyre Londër-New York për 5 orë e 20 minuta.