Kryeministri i zhdukur: Shkoi për të notuar dhe nuk u gjet më kurrë

Kryeministri i zhdukur: Shkoi për të notuar dhe nuk u gjet më kurrë

15 janar 2018 14:12

Frika e tij më e madhe ishte se vdekja do të mbulonte gjithçka që kishte bërë gjatë jetës.

Kryeministri australian Harold Holt u zhduk.

Këto ishin fjalët që shpërthyen në mediat australiane më 17 dhjetor 1967 - dita kur Holt shkoi për surfim në plazhin Cheviot pranë Melburnit dhe nuk u pa më.

Supozohet se ai ishte fundosur dhe për nder të tij u mbajt një komemoracion në të cilin morën pjesë udhëheqës botërorë, përfshirë kryeministrin britanik Harold Wilson dhe presidentin amerikan Lyndon Johnson.

Por trupi i tij nuk është gjetur kurrë, duke ngritur teori qesharake, duke përfshirë edhe një libër që pretendon se kryeministri ishte rrëmbyer nga një nëndetëse kineze.

Pesëdhjetë vjet pas zhdukjes së tij, karriera e politikanit progresive australian Holt u zbeh tërësisht nga natyra misterioze e vdekjes së tij.

“Teoritë e konspiracionit janë bërë të njohur aq mirë dhe sigurisht një pjesë e folklorit australian,” tha për CNN Tom Frame, biograf dhe udhëheqës i grupit për studimin e lidershipit publik në Universitetin e New South Wales.

Holt u bë kryeministër i Australisë në janar të vitit 1966, gati dy vjet para se të zhdukej. Ai ishte një ministër besnik nën udhëheqje e liderit, Robert Menzies.

“Holt ishte fryma e ajrit të pastër”, citon CNN John Warhurst, një profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar Australian.

“Ishte më i ri se Menzies dhe njihej si njeri shumë modern, progresiv ... Shikuar nga sot, ai është kryeministri i parë modern i Australisë,” shton Warhurst.

Pavarësisht kohës relativisht të shkurtër në detyrë, Holt ka siguruar një sërë arritjesh të rëndësishme, duke përfshirë kalimin në monedhën e dollarit australian nga funta e komplikuar.

Një arritje e kohës së tij si lider ishte një referendum historik kombëtar në vitin 1967, i cili ua mundësoi popullatës autoktone aborigjine për t’u regjistruar përfundimisht në mesin e popullsisë së vendit.

Frame gjithashtu tha se Holt ishte një nga politikanët e parë, të cilët kanë punuar për t'i dhënë fund politikës famëkeqe Australia e bardhë, e cila kufizonte emigracionin nga vendet jo-evropiane dhe marrëdhëniet diplomatike me fqinjët aziatikë, transmeton KosovaPress.

Dita kur Holt u zhduk ishte e nxehtë. Para mëngjesit të 17 dhjetorit 1967, ai vendosi të shkojë në plazh, në afërsi të shtëpisë për pushim në Portsea, në bregun e Victoria.

Holt, thotë Frame, ishte zhytës dhe notues i aftë, por ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kohë më parë kishte një operim dhe mjeku e kishte sugjeruar të marrë pushim. Të shtunën kishte luajtur tenis dhe të dielën iu afrua ujit, përkundër këshillave të mjekëve”, tha Frame.

Dëshmitarët në plazh i kanë thënë policisë se kanë parë valë të mëdha në det atë ditë.

Pavarësisht kësaj, Holt kishte vazhduar të notojë larg plazhit, në thellësi të ujit, thuhet në raportin policor të vitit 1968.

Njëra nga gjërat e fundit të cilat Holt ia kishte thënë grupit para se të hyjë në ujë, ishte: “E njoh këtë plazh si shenjat në duart e mia”.

Australia ishte tmerruar nga lajmi për zhdukjen e tij.

“Mendoj se pas vrasjes së presidentit amerikan John F. Kennedy, shumica e njerëzve mendonin se liderët botërorë duhet të kenë sigurim, i cili kurrë nuk duhet të qëndrojë larg tyre dhe nëse iu ndodh diçka, duhet t’i dalin në ndihmë”, thotë Frame.

Në kërkimet për trupin e pajetë të kryeministrit morën pjesë 300 vetë, por asnjë shenjë e tij nuk u gjet në det.

Zhdukja e tij krijoi një debat të ashpër dhe ngriti spekulime, se Holt kreu vetëvrasje, për shkak të ndarjes nga bashkëshortja ose si rezultat i lodhjes nga puna, transmeton kp.

Por, policia në raportin e saj nga viti 1968 shkruan se është pak e besueshme që këto të kenë qenë arsyet.

Teoritë tjera që shpërthyen në atë kohë kishin përmasa ndërkombëtare.

“Disa pretenduan se Holt ishte rrëmbyer nga misione ruse ose kineze”, thotë Frame.

Gazetari britanik Anthony Gray thotë se Holt ishte spiun kinez dhe ishte evakuuar në nëndetësen kineze në Cheviot Beach, në fund të misionit të tij.

Por, Frame thotë se pohime të tilla nuk kanë bazë dhe as kuptim.

“Shpjegimi më i thjeshtë është se ai është fundosur. Njerëzit mendojnë se një gjë e tillë nuk duhet t’i ndodhë kryeministrit”, thekson ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme