Kuriozitet

Në Astana lahen në lumë në temperatura minus 40 gradë

Descriptive Text

Qytetarët e kryeqytetit të Kazakistanit, Astana, edhe kur temperaturat ulen në minus 40 gradë celsius vazhdojnë aktivitetet e tyre sportive dhe sociale, duke hyrë në lumë, duke bërë ski dhe duke vrapuar mbi lumin Ishim të mbuluar nga akulli.

Në Astana, ku dimri zgjat 6 muaj, temperaturat e ulëta nuk ndikojnë në jetën e njerëzve. Lumi Ishim i cili ndan qytetin në dy pjesë, gjatë dimrit shndërrohet në një fushë ku njerëzit gjuajnë peshq, bëjnë ski dhe hyjnë në lum.

Kur në njërën anë disa persona vrapojnë dhe bëjnë ski në parqe, në anën tjetër biçikletëdashësit ngasin biçikleta në palestrat sportive.

Uldana Romanova nga Astana përkundër temperaturave të ulëta gjatë fundjavës i sjell nipërit e saj në lumin Ishim.

Në një deklaratë për AA Romanova thotë se përkundër paralajmërimit të djeshëm për temperatura ekstreme të ulëta, thotë se kanë ardhur në lum për të bërë ski.

“Përkundër motit të ftohtë ne që nga orët e hershme të mëngjesit bëjmë ski së bashku me bashkëshortin dhe nipin tim 5 vjeç. Ne nuk e ndjejmë të ftohtin meqë jemi vazhdimisht në lëvizje”, tha ajo.

Romanova thotë se në Astana ku jetojnë më shumë se 15 vite, kanë parë temperaturat deri në minus 40 gradë celsius. “Njerëzit nuk mbyllen në shtëpi për shkak të ftohtit. Ata marrin pjesë në aktivitete sportive dhe sociale në ambient të hapur”, thotë ajo.

Ndërsa Sergey Sidorov i cili ka dalë për të peshkuar, këtë aktivitet e bën duke hapur vrimë në akullin në trashësi prej një metër në lumin Ishim.

“Peshkimi është një nga aktivitetet që i preferoj më së shumti. Unë vij këtu përkundër të ftohtit të madh. Këtu jam vetëm me natyrën, qetësohem. Është një aktivitet shumë i këndshëm”, thotë Sidorov.

Është më lehtë të hysh në ujë në të ftohtë

Almas Syterbayev po ashtu nga Astana gjatë dy viteve të fundit hyn në lumë duke thyer akullin.

Sipas tij, temperaturat e ulëta nuk ndikojnë në jetën e qytetarëve të Astanës. “Të hysh në ujë gjatë stinës së dimrit është mënyrë e shëndetshme e jetës. Është më lehtë të hysh në ujë në mot të ftohtë sepse kur temperatura jashtë është minus 30 gradë, temperatura e ujit është 2-3 gradë celsius”, thotë Syterbayev.

Ai tha se e dobishme është të hysh në ujë të ftohtë gjatë dimrit. “Uji i ftohtë përmirëson metabolizmin dhe përforcon imunitetin. Në ujë të ftohtë hyjnë të gjithë, që nga fëmija 2 vjeç e deri te personat 70 vjeç”, thotë ai.

Më e këndshme të vraposh në ambient të hapur

Yuliya Kuznetsova vë në dukje se kushtet atmosferike në Astana, ku javën e kaluar u përjetua stuhia e dimrit, nuk janë aq të përshtatshme për të vrapuar.

“Ne vazhdojmë të vrapojmë përkundër kësaj. Unë vrapoj të paktën 10 kilometra në ditë. Në një periudhë të mërzitshme për mua, unë nisa të vrapoj. Që nga ajo ditë e deri më tani as kushtet atmosferike nuk më ndaluan që ta bëj këtë”, tregon ajo.

Sipas saj, vrapimi në ambient të hapur është më i këndshëm se në palestrat sportive. “Vrapimi në natyrë përmirëson disponimin, kurse bora në rrugë jep ngarkesë shtesë për gjunjët. Unë i ftoj të gjithë në mënyrën e jetesës së shëndetshme. Së bashku me kolegët e mi, ne marrin pjesë në maratona të ndryshme të vrapimit”, tha Kuznetsova.