Kuriozitet

Hapet karnavali me traditë mbi 1.400 vjeçare në Maqedoni – edhe “familja Trump” e pranishme

Në Komunën e Vevçanit është hapur zyrtarisht manifestimi “Karnavali i Vevçanit”, i cili konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoni me një traditë mbi 1.400 vejçare.

Ky karnaval i cili mbahet me rastin e festës së Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, është i njohur si manifestim provokues përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme. Ai u hap nga ministri i Kulturës i Maqedonisë, Robert Allagjozovski, i cili theksoi se, “Maskat e karnavalit rezonojnë edhe me politikat e reja qeveritare, janë kritike dhe përhapin atë që ne e përfaqësojmë si parim, demokratizimin e kulturës, shoqërisë dhe krijimin e horizonteve të reja të kulturës kritike” , raporton AA.

Image

Karnavali filloi me parakalimin e grupeve me persona të maskuar nga Mëhalla e Epërme dhe e Poshtme e këtij fshati, të cilët përmes maskave të tyre përcjellin mesazhet, por edhe kritikat për ngjarjet e vitit 2017 në vend, rajon dhe më gjerë.

Image

Për ngjarjet e vitit të kaluar, Karnavali i Vevçanit drejtoi kritika ndaj komunitetit LGBT, mosmarrëveshjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ligjit për përdorimin e gjuhëve që u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë. Gjithashtu kishte edhe maskime të sheikëve të pasur, presidentit amerikan, Donald Trump me bashkëshorten Melania dhe vajzën Ivanka, si dhe shumë personalitete të tjera të fushave të ndryshme.

Manifestimi do të përfundojë gjatë ditës së nesërme me djegien e maskave, me të cilën besohet se njerëzit do të çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë të ardhura.

Image

Në Karnavalin e Vevçanit “dhëndri” dhe “nusja” janë maskat kryesore të cilët natën mes 13 dhe 14 janarit janë të detyruar t’i vizitojnë të gjithë, rreth 700 shtëpi të Vevçanit, për të mbledhur para që destinohen për donacione. Maskat mbahen sekret dhe kurrë nuk përsëriten në karnavalet e ardhshme.

Ndryshe, Komuna e Vevçanit dhe karnavali i këtij vendi, janë anëtarë të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).