Imami homoseksual synon të hapë xhami për komunitetin LGBTI në Australi Xhamia “Sunshine” është njëra prej xhamive më të frekuentuara në Melbourne

Imami homoseksual synon të hapë xhami për komunitetin LGBTI në Australi

10 janar 2018 09:57

Një imam në Australi është duke synuar që të hapë xhaminë e parë për myslimanët LGBTI, duke pohuar se ky komunitet ka mungesë përkrahje dhe hapësira të sigurta.

Nur Warsame, imami i parë që ka pranuar se është homoseksual, u ka thënë mediave australiane se përballet me “një ortek të mjerimit” nga myslimanët LGBTI, të cilët kanë nevojë për përkrahje. Warsame ka thënë se në shtëpinë e tij qëndrojnë disa myslimanë LGBTI që frikësohen për jetët e tyre dhe kjo përvojë e ka shtyrë atë që të besojë se myslimanët LGBTI kanë nevojë për vende që të jetojnë e punojnë. Ai do që xhamia LGBTI të ketë edhe një shtëpi për të strehuar këta myslimanë.

“Një prej gjërave esenciale të një të riu është një shtëpi e sigurt dhe e përballueshme. Me qëllim që të përshtaten në shoqëri ata nuk mund të jenë në një ambient që shkakton trauma”, ka thënë Warsame për ABC-në në Australi.

Xhamia e propozuar do të jetë në Melbourne dhe Warsame ka thënë se është duke punuar me autoritetet lokale për të siguruar një vend të sigurt për këtë xhami, transmeton Koha.net.

“Do të jetë në qendër. Është afër me shërbimet që unë ua rekomandoj: Praham Market Clinic, që është një shërbim mjekësor për komunitetin LGBTI, spitali është matanë rrugës, ndërsa policia është në fund të saj”, ka thënë Warsame për lokacionin e xhamisë.

Warsame i lindur në Somali është imam i njohur në Australi. Ai drejtoi njërën prej xhamive më të mëdha të Melborunet. Ai gjithashtu është hafiz, besimtari që di Kuranin përmendësh.

Por kredencialet si një mysliman i devotshëm nuk u morën parasysh nga bashkësia myslimane në Australi që shkëputi lidhjet me imamin kur ai pranoi orientimin seksual në vitin 2010.

Warsame kishte disa kërcënime me jetë nga njerëzit që besojnë se homoseksualiteti nuk është i pranueshëm nga feja. Por kjo nuk e ka ndalur atë që të flasë hapur se si është të jesh mysliman dhe homoseksual.

Rreth 2.6 për qind e popullatës së Australisë janë identifikuar si myslimanë. Shumica prej tyre jetojnë në Melboune. Në vitet ’90 myslimanët në Australi arritën nga vendet si Afganistani, Iraku, Irani, Bosnja, Shqipëria, Indonezia dhe Malajzia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme