Projekti Eden, pyll tropikal “me porosi”

Projekti Eden, pyll tropikal “me porosi”

08 janar 2018 12:41

Ky është pylli tropikal i mbyllur më i madh në botë dhe ka tërhequr mbi 19 milion turistë qëkur është hapur. Por tani projekti britanik Eden do të hapë edhe 9 të tillë në botë.

Në Britani, projekti Eden gjendet në Cornwall dhe u ndërtua brenda gropës së lënë nga një impiant argjile me përmasat e 30 fushave futbolli. Kupolat e mëdha biologjike janë tiparet kryesore të pyllit tropikal ku gjenden mbi 3000 specie bimësh.

Qëllimi i parkut ekologjik është që të edukojë njerëzit për ambientin, por i hapur 16 vjet më parë në Britani, ekspertët mendojnë se u desh shumë kohë që fama dhe trendi i tij të përhapet në botë.

Megjithatë, bazuar në suksesin britanik, Kina është e para që përqafon idenë dhe ka bërë gati projektin për një pyll në tillë në qytetin Qingdao, transmeton tch. Pylli tropikal kinez gjithashtu i mbyllur, do të përfundojë në vitin 2020 dhe do të ndërtohet mbi terren të dëmtuar që më parë përdorej për prodhimin e kripës.

Me problemet e theksuara ekologjike me të cilat përballet, Kina mendon se një park i tillë, që mund të kopjohet edhe nga qytete tjera në vend, do të jetë minimalisht një mënyrë e mirë për të sensibilizuar njerëzit për ambientin si dhe një mundësi për ti ofruar një hapësirë ku të marrin frymë lirisht jashtë ndotjes urbane.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme