Martesa që e shpëtoi dezertorin amerikan në Kore të Veriut

Martesa që e shpëtoi dezertorin amerikan në Kore të Veriut

07 janar 2018 08:21

Çdo natë para se të shtrihet në shtrat, dezertori amerikan, Charles Jenkins, i kthehet Hitomi Sogas, gruas nga Koreja e Veriut me të cilën u detyrua të martohej, dhe e puth tri herë.

“Oyasumi”, thotë ai, duke folur në japonishte. “Natën e mirë”, i përgjigjet ajo në anglishte, gjuhën e tij të fëmijërisë në Karolinën Veriore. “E bëjmë këtë për të mos harruar se kush ishim në të vërtetë dhe prej nga vinim”, shkruan Jenkins në memoarin e tij.

Rasti i tyre është një rrëfim i errët, i pazakontë, detyrues – dhe në fund, edhe rrëfim dashurie.

Të ngujuar në një mbretëri të izoluar, të njohur për urinë dhe kampet e punës, çifti është bashkuar nga një rrezik më pak i madh i këtij vendi: mblesëria për të burgosurit.

Jenkins, i cili vdiq këtë dhjetor në moshën 77-vjeçare, përfundoi në Kore të Veriut gjatë një nate të errët janari më 1965, kur ishte 24-vjeçar, në gjendje të dehur dhe në depresion, shkruan “Koha Ditore”. Si rreshter i ushtrisë amerikane i stacionuar në anën e Koresë Jugore, ai druante se do të qëllohej nga patrulla e armatosur e kufirit. Apo edhe më keq, të dërgohej për vdekje në Vietnam.

Jenkins e dinte se ikja ishte e rrezikshme, por mendonte se do të kërkonte azil në ambasadën ruse dhe të mbërrinte disi në shtëpi nëpërmjet shkëmbimit të të burgosurve. Më vonë do të shkruante: “Nuk e kisha kuptuar se vendi ku po kërkoja strehim të përkohshëm ishte faktikisht një burg gjigant, i çmendur; kur dikush përfundon aty, pothuajse asnjë herë nuk shpëton nga aty”.

Katërshja dezertore

Siç ishte zakon, Koreja Veriore e burgos dhe këtu nis përvoja e tij e hidhur katërdekadëshe.

Jenkins ishte mbajtur në një dhomë të vetme të stilit spartan, me tre të burgosur të tjerë që kishin dezertuar që prej 1964-s – James “Joe” Dresnok, një burrë gjigant; Larry Abshier – që besohet të ketë qenë ushtari i parë amerikan që dezertojë në Veri; dhe kapiteni Jerry Parrish, vetëm 19 vjeç kur mbërriti në këtë shtet të izoluar.

Image

Të katër këta ishin detyruar t’i mësonin mësimet e liderit të atëhershëm Kim Il-sung gjatë dhjetë orëve në ditë dhe rriheshin rregullisht nga kapësit. Të dëshpëruar – dhe tmerrësisht të mërzitur – ata përpiqeshin të argëtoheshin ndërmjet vete duke “vjedhur gjërat e qeverisë apo duke u nisur nëpër ecje të rrezikshme”, siç shkruan Jenkins në librin e tij “Komunisti ngurrues”.

Më 1972, dezertorëve më në fund u jepen shtëpi të veçanta dhe shpallen qytetarë të Koresë Veriore – ndonëse ende u nënshtroheshin kontrolleve, rrahjeve dhe torturave të vazhdueshme... (më gjerësisht lexoni në numrin festiv të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme