A janë kafshët të afta për llogaritje

A janë kafshët të afta për llogaritje

31 dhjetor 2017 09:02

Si duket disa kafshë posedojnë të paktën një aftësi themelore matematikore - ato mund të llogarisin në një kuptim të caktuar.

Në fillim të shekullit të njëzetë, kali i njohur me emrin Hansi i Zgjuar nga Berlini e tërhoqi vëmendjen e njerëzve në mbarë botën. Trajneri i tij tregoi se ai mund të llogariste (dhe t’i zgjidhte problemet matematikore), transmeton Koha.net. Këtë ai e bëri ashtu që me thundër do të trokiste për ta treguar numrin ose përgjigjen e saktë midis zgjedhjeve të shumëfishta të ofruara.

Shkencëtarët më vonë zbuluan se Hansi i Zgjuar në fakt nuk kishte aftësi matematikore, por ai me siguri tregoi aftësi të mahnitshme vëzhgimi. Me pak fjalë, ai nuk mund t'u përgjigjej pyetjeve, në të cilat ekzaminuesit gjithashtu nuk e dinin përgjigjen, sepse Hansi i Zgjuar në fakt i lexonte shenjat e vockla fizike dhe faciale për ta gjetur përgjigjen e saktë.

Pavarësisht faktit që Hansi i Zgjuar nuk arriti ta kalonte kuizin matematikor në shekullin e kaluar, studimet në dekadat e fundit kanë treguar se shumë specie të gjalla e kanë një lloj të një “sensi të numrave”, apo aftësie për të diferencuar sasi të ndryshme të objekteve të caktuara.

Si duket primatet jonjerëzore kanë aftësi më të avancuara numerike, gjë që ndoshta nuk është aq e habitshme. Në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, shkencëtarët kanë dëshmuar se shimpanzetë mund ta mbledhin numrin e çokollatave të ndara në dy tasa për ushqime (deri në 5 copë çokollata në çdo tas), ta krahasojnë atë numër me shumën e dy tasave të tjerë për ushqim dhe ta zgjedhin me kujdes tasin më të madh nga këto dy shuma në 90% të rasteve.

20 vjet më vonë, shkencëtarët kanë treguar se majmunët rezus makakë mund t’i llogarisin shpejt dhe në mënyrë korrekte objektet në ekran në 80% të rasteve ashtu si edhe studentët në universitet. Në eksperimentet pasuese është treguar se majmunët mund të llogarisin përmes shqisave duke e lidhur numrin e tingujve që e dëgjojnë me numrin e formave që i shohin në ekran.

Edhe luanët e kanë ndjenjën për numrat të lidhur me tingullin. Studimet e mëparshme kanë treguar se luanët vendosin nëse do t'i afrohen apo do të tërhiqen nga tingujt e lartë dhe të bezdisshëm (të transmetuara me altoparlant) në varësi të numrit të tyre dhe se sa anëtarë i kanë në grupin e tyre. Disa gjitarë të tjerë, duke përfshirë arinjtë e zinj dhe ujqërit, gjithashtu e treguan aftësinë për ta diferencuar sasinë.

Bletët, nga ana tjetër, njihen për njohuritë e tyre të jashtëzakonshme, duke përfshirë aftësitë e të mësuarit shoqëror dhe vendimmarrjen. Shkencëtarët gjithashtu e dinë prej kohësh se insektet dinë të llogarisin - të paktën deri në 4. Gjatë të nëntëdhjetave është treguar se bletët e mjaltit e dinë se sa larg kanë udhëtuar nga kosheret e tyre duke i numëruar (deri në 4) gjatë rrugës pikat referuese dhe do të hutoheshin në qoftë se shkencëtarët do ta ndryshonin numrin e tyre.

Ndryshe nga ato, peshqit nuk janë shumë të njohur me inteligjencën e tyre. Megjithatë, këto kafshë e kanë një ndjenjë të numrave, përcjell Koha.net. Studimet e kryera në peshkun gupi kanë treguar se ata preferojnë të bashkohen me grupet më të mëdha (dhe në këtë mënyrë më të sigurta).

Disa studime tregojnë se ndjenja e numrave mund të jetë diçka me të cilën lindin disa kafshë. Dy vjet më parë, shkencëtarët konstatuan se zogjtë e pulës tri ditë të vjetër mund t’i identifikojnë sasitë më të mëdha dhe më të vogla, ndoshta edhe të mendojnë në numra deri në “një linjë numerike”, e cila lëviz nga e majta në të djathtë, ashtu si njerëzit.

Pavarësisht nga të gjitha këto, ndjenja jonë e numrave nuk është tërësisht unike. Në fakt, ajo sigurisht nuk është diçka që është e rezervuar për kafshët. Mizakapësja e Venerës, pra bima, gjithashtu di të “llogarisë”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme