Kuriozitet

Austria do të lejojë pirjen e duhanit nëpër restorante

Ndërsa pjesa më e madhe e Perëndimit e ka ndaluar duhan-pirjen në restorante dhe bare, në Austri pritet të anulohet ky vendim.

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, shpesh radhitet si qyteti më i mirë për të jetuar. Por, shumë vizitorë befasohen kur në mbrëmje nëpër lokale nuhasin aromën ‘djegëse’ që s’e kanë nuhatur moti.

Austria kaloi një ligj për ndalimin e duhanit në bare e restorante nga maji i vitit 2018. Por e gjithë kjo do të rrëndohet në bazë të një marrëveshjeje mes Partisë Popullore konservatore (OVP) e drejtuar nga Sebastian Kurz dhe të djathtës ekstreme Partia e Lirisë (FPO) të arritur gjatë negociatave për një koalicion qeverisës, thotë një person i afërt me zhvillimet, raporton Reuters.

“Rregullat aktuale do të mbesin siç janë”, ka thënë ai, duke konfirmuar raportet e mediave lokale. Duhan-pirja është e ndaluar në përgjithësi në industrinë e restoranteve por lejohen përjashtime, transmeton Koha.net.

Heqja e ndalimit të duhan-pirjes ka qenë ide e shtyrë përpara nga lideri i FPO-së, Heinz-Christian Strache, 48 vjeç, i cili vazhdimisht ka provuar, pa sukses, të ndalojë pirjen e duhanit. Kurz, që është vetëm 31 vjeç, asnjëherë nuk e ka nisur duhanin e madje nuk e konsumon as kafenë, një gjë e rrallë në një vend që njihet për kulturë të kafesë.

Pirja e duhanit s’ka qenë çështje e madhe gjatë zgjedhjeve, në të cilat Kurz u koncentrua në vijën e ashpër të migrimit. Por disa pronarë restorantesh kërkuan që ndalimi i duhanit të anulohej, të cilët u përkrahën nga Strache, i cili ka thënë se ata duhet të jenë të lirë të vendosin se a do t’i lejojnë konsumatorët e tyre të pinë duhan apo jo.

“Anulimi i ndalimit të përgjithshëm të pirjes së duhanit në industrinë e restoranteve është një hap gjigant prapa në politikat shëndetësore”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Pamela Rendi-Wagner e Social-Demokratëve, e cila planifikon të qëndrojë në opozitë me krijimin e koalicionit qeverisës.

Marrëveshja e koalicionit ka përfshirë edhe ngritjen e moshës së pirjes së duhanit nga 16 në 18 vjeç dhe ndalimin e duhanit në vetura kur ka fëmijë brenda.