Kuriozitet

Diamanti “Pink Promise” shitet 32 milionë dollarë

Një diamant i madh në formë ovale i vendosur në unazë “Pink Promise”, u shit sot në ankand nga shtëpia Christie’s në Hong Kong për 32,16 milionë dollarë.

Guri prej 14,93 karat shkoi për një blerës të paidentifikuar, i cili mori pjesë në ankand nëpërmjet telefonit.

Sipas shtëpisë së ankandeve Christie’s, bëhet fjalë për çmimin e dytë më të lartë për karat për një diamant, pas atij të arritur nga “Vivid Pink” (pesë karat) i shitur në Hong Kong në vitin 2009 për 10,78 milionë dollarë.

Guri nuk ka arritur vlerësimin e bërë nga shtëpia e ankandeve, që ishte 42 milionë dollarë.

“Ky ishte një çmim shumë i lartë”, theksoi François Curiel, president i Christie’s për Evropën dhe Azinë, pas shitjes.

“Kjo tregon se Hong Kongu është një qendër shumë e rëndësishme për stolitë”, shtoi ai.    

Lufta antikorrupsion në Kinën kontinentale nuk ka ndikuar në ankandet shumë dinamike në Hong Kong.

Në muajin prill, një diamant i kuq i madh “Pink Star” propozuar nga “Sotheby’s” (59,60 karat), theu rekordin botëror për një gur të shitur në ankand duke arritur vlerën e 71,2 milionë dollarëve.