Kundër mureve, martesë dykombëshe në kufirin amerikano-meksikan

Kundër mureve, martesë dykombëshe në kufirin amerikano-meksikan

20 nëntor 2017 09:07

Një amerikan dhe një meksikane u martuan në kufirin mes dy vendeve, në formën e një manifestimi simbolik, në një çast që presidenti Donald Trump dëshiron të ngrejë një mur për të bllokuar fluksin migrator që vjen nga jugu, transmeton ATSH njoftimin e AFP-së.

“Për të dashuruarit, ky mur nuk ekziston. Dashuria nuk njeh kufij”, deklaroi bashkëshortja, Evelia Reyes, e veshur me një fustan të gjatë dhe një vello të bardhë.

Dy të dashuruarit shprehën vullnetin e tyre, në prani të një gjyqtari meksikan, në “Derën e Shpresës”, një pjesë e hapur nga roja kufitare amerikane, në telat që ndajnë dy vendet, për të lejuar zhvillimin e kësaj ceremonie.

Ceremonia u organizua nga “Border Angels” (Engjëjt e Kufirit), një OJQ që mbron të drejtat e imigrantëve.

Evelia Reyes shoqërohej nga tre fëmijët e saj të një martese të mëparshme dhe disa të afërm dhe miq.

Bashkëshortja, me origjinë nga shteti Guerrero, në jug të Meksikës, tregoi për median se “kishte njohur bashkëshortin e saj të ardhshëm, Brian Houston para tre vitesh në Tijuana (Meksikë)”.

Megjithatë ajo nuk mund të hynte në SHBA sepse nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm, një problem që mund të zgjidhet pas martesës.

Ndërsa sipas “The San Diego Tribune”, Brian Houston nuk mund të shkonte në Tijuana për të zhvilluar martesën për arsye që nuk janë bërë të ditura.

Pjesa më e madhe e 3 200 kilometrave të kufirit mes Meksikës dhe SHBA-së ndahen nga barriera të ndryshme ose tela.

Presidenti Donald Trump ka premtuar gjatë fushatës së tij se do të ndërtojë një mur përgjat këtij kufiri, duke krijuar tension në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme