Shtëpia e Bardhë “kundër” raportit të shkencëtarëve amerikanë për ndryshimet klimatike Foto: Reuters / ilustrim

Shtëpia e Bardhë “kundër” raportit të shkencëtarëve amerikanë për ndryshimet klimatike

04 nëntor 2017 16:57

Shtëpia e Bardhë u përpoq ta minimizonte raportin e ndryshimeve klimatike, të hartuar nga 13 agjenci federale amerikane. Studimi i tyre bie ndesh me pohimet e bëra nga Trump dhe një sërë pjesëtarësh të administratës së tij.

“Gjasat janë jashtëzakonisht të mëdha, që aktiviteti njerëzor të jetë shkaku kryesor i ngrohjes globale”, thuhet në raport. Mendimet e ekspertëve nuk mjaftojnë, megjithatë, për të bindur Shtëpinë e Bardhë.

“Edhe pse administrata i mbështet me forcë analizat shkencore dhe debatin, – u shpreh një zëdhënës i saj, – duhet të mbajmë parasysh se klima është gjithmonë në ndryshim”.

Zv/Sekretari kryesor i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Raj Shah u përpoq të tregonte se nuk është e sigurt sa e ndjeshme është klima e Tokës ndaj emetimit të gazrave shkaktare të efektit serrë, shkruan Tch.

Trump vazhdon t’i qëndrojë idesë se, koncepti i ngrohjes globale është krijuar nga kinezët për ta bërë më pak konkurruese industrinë përpunuese të Shteteve të Bashkuara, e në fillim të vitit njoftoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit mbi klimën.

Raporti i posaçëm shkencor mbi ndryshimet klimatike u hartua nga shkencëtarë të qeverisë amerikane. Parashikimet e tyre nuk përjashtojnë mundësinë që deri në fund të shekullit, niveli global i ujit të deteve dhe oqeaneve të rritet deri në 2.4 metra, rreziku i thatësirave dhe përmbytjeve të rritet ndjeshëm, e të shtohen rastet e stuhive shkatërrimtare dhe zjarreve masive.

“The Guardian” shkruan se, po të mbërrihet vërtet – siç profetizohet, – një ngrohje e globit me 3 gradë Celsius, rritja e nivelit të detit do të prekë miliona vetë nëpër botë, ndërsa qytete si Miami, Shangai, Aleksandria, Rio dhe Osaka do të vuajnë pasojat e saj më shumë sesa të gjithë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme