Ekspozohet koleksioni i rrallë i kartëmonedhave të shtetit shqiptar

Ekspozohet koleksioni i rrallë i kartëmonedhave të shtetit shqiptar

02 nëntor 2017 13:15

Tiranë, 2 nëntor – Ekspozita ”Fragmente të historisë së Shtetit Shqiptar përmes kartëmonedhave” është çelur për herë të parë në teatrin “Skampa” Elbasan, transmeton ATSH.

Kjo ekspozitë vjen përmes një koleksioni të rrallë kartëmonedhash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti, koleksionist, njëkohësisht anëtar Bordi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë si dhe anëtar i Bordi i ADE.

Ekspozita e cila është çelur për publikun më 30 tetor e do të qëndrojë e hapur deri me datë 3 nëntor, synon të informojë qytetarët mbi vlerat historike, kulturore dhe numizmatike të ilustruara në kartëmonedhat shqiptare.

Në ditët e parë të kësaj ekspozite, ajo u vizitua nga emra të njohur të Elbasanit, studiues, pedagogë, politikanë, njerëz të artit e kulturës të cilët shprehën vlerësimet e tyre për këtë koleksion të veçantë.

Ky koleksion u shoqërua edhe me objekte mbështetëse si kartolina, gazeta e revista të kohës, duke ofruar një pasqyrim më të plotë të evoluimit kulturor dhe numizmatik ndër vite në Shqipëri. Kartëmonedha e parë që është ekspozuar daton e vitit 1913.

Koleksionisti Julian Demeti tha se ,“rëndësia e kësaj ekspozite është sepse realisht bëjmë dy veprime shumë të mira: e para ta zhvillojmë edukimin nëpërmjet kulturës pra t’iu tregojmë këtu sidomos kartëmonedhat lokale të cilat janë një koleksion shumë i rrallë, si dhe shumë objekte të tjera që do mundohem t’jua tregoj nëpërmjet ekspozitës”,tha ai.

Ai shtoi se kartëmonedha e Elbasanit është një nga katër kartëmonedhat e cila është e vetmja në Shqipëri që ndodhet aktualisht sot.

“Nëpërmjet këtij aktivitet kemi mundësi të bëjmë edhe një vepër të mirë duke ndihmuar këtë qendër që kujdeset për fëmijët në nevojë, dhe të gjithë ne ndjehemi mirë kur bëjmë një vepër të tillë.”, tha Demeti.

Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini vlerësoi punën e Demetit duke shpresuar që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë me bashkinë e Elbasanit për të nxjerrë në pah vlerat, kulturën, historinë, traditat dhe njerëzit e shquar të këtij qyteti.

Të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta të Qendra Shqiptare per Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta Elbasan.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme