Kuriozitet

Neomi, megaqyteti saudit i së ardhmes prej 500 miliardë dollarësh

Në një përpjekje për të diversifikuar ekonominë e saj, Arabia Saudite ka planifikuar ndërtimin e një qyteti, i quajtur Neomi, për të cilin do të shpenzohen 500 miliardë dollarë.

I shpërndarë në 26 500 kilometra katrore, Neomi do të ndërtohet në bregun veriperëndimor të Detit të Kuq, ku kalon 10 për qind e tregtisë botërore. Sauditët kanë planifikuar të ndërtojnë një urë mahnitëse mes Egjiptit dhe Arabisë Saudite, transmeton atsh.

Ndërkohë që mbretëria planifikon të investojë gjysmë trilion dollarë në këtë projekt, ajo pret që të ardhurat të vijnë nga vendasit dhe të huajt. Ajo shpreson të ketë 70 miliardë dollarë të ardhura dhe të zëvendësojë importet nëpërmjet prodhimit të madh lokal të veturave, makinerive dhe pajisjeve të komunikimit.

Kontributi i Neomit në PBB-në e mbretërisë pritet të arrijë në 100 miliardë dollarë në vitin 2030, ndërkohë që të ardhurat për frymë të jenë më të lartat në botë. Faza e parë e projektit do të mbarojë në vitin 2025.

Ky megaprojekt do të fokusohet mbi energjinë dhe ujin, zgjidhjet mbi transportin, bioteknologjinë, industrinë e përparuar përpunuese, shkencat digjitale, ushqimin, produktin mediatik si edhe spektaklet dhe turizmin. Qyteti do të furnizohet me energji të rinovueshme dhe do të ketë internet falas.