Shitet për çmim rekord letra e pasagjerit të Titanicut Foto: Reuters

Shitet për çmim rekord letra e pasagjerit të Titanicut

21 tetor 2017 21:20

Një letër personale e gjetur në trupin e një burri të mbytur në fundosjen e anijes Titanic është shitur në një ankand të shtunën për mbi 140 mijë euro, shifër kjo rekorde e korrespodencave nga anija e fundosur.

Letra është një prej të fundit që dihet se i ka mbijetuar zhytjes dhe ende mban në vete shenja nga koha sa ishte në Atlantik, raporton Reuters.

E shkruar nga pasagjeri i klasit të parë Alexander Oskar Holverson, letra i është dedikuar nënës së tij ku ai ka përshkruar përshtypjet e tij në anijen e madhe, duke e lavdëruar ushqimin dhe muzikën.

“Nëse gjithçka shkon mirë, ne do të arrijmë në New York të mërkurën në mëngjes”, ka shkruar Holverson një ditë para se anija të godiste ajsbergun, transmeton Koha.net.

Holverson ishte një shitës i lindur në Minnesota, i cili po udhëtonte me anije bashkë me gruan e tij, Mary Alice, e cila i kishte mbijetuar fundosjes.

Letra u shit nga familja Holverson në një ankand të mbajtur në “Henry Aldridge & Son” në qytetin jugor anglez, Devizes.

Në këtë ankand u shitën edhe çelësat e metaltë nga Titanicu për mbi 85 mijë euro.

Holverson ishte në mesin e 1500 njerëzve që vdiqën kur anija u fundos më 14 prill të vitit 1912 në Atlantik derisa po udhëtonte nga Southamptoni për në New York. Trupi i tij u gjet bashkë me letrën.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme