Ekspozita “Arkitektura tradicionale – Kullat” sjellë në kryeqytetin shqiptar kodin e dizajnit të Thethit

Ekspozita “Arkitektura tradicionale – Kullat” sjellë në kryeqytetin shqiptar kodin e dizajnit të Thethit

20 tetor 2017 10:06

Në të njëjtën ditë kur në luginë po shtrihej përjetësisht albanologu Robert Elsie, Thethi tërhoqi përsëri vëmendjen dhe këtë herë për kullat e tij.

I fshehur mes malesh të larta në një luginë rreth 800m mbi nivelin e detit, Thethi është i pari fshat i Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare që po bëhet me një Kod Dizajni. Drafti i këtij kodi u prezantua mbrëmë në Kinema Millennium të Tiranës, me pjesëmarrjen e qindra të ftuarve, profesionistë dhe studentë të arkitekturës, planifikues urbanë, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, të Agjencisë Kombëtarë të Zonave të Mbrojtura (AKZM), të bashkisë Shkodër, të Ambasadës Gjermane, GIZ, të kompanisë së konsultimeve GOPA/DIAVA, të shoqërisë civile etj.

Aktiviteti me titull “Arkitektura tradicionale – Kullat” u mbajt në kuadër të Tetorit Gjerman, sepse që prej një viti, ekspertë lokalë dhe të huaj, me mbështetjen e GIZ, kanë punuar intensivisht mbi Kodin e Dizajnit, si një bashkësi rregullash dhe kriteresh që përcaktojnë çfarë dhe si duhet të ndërtohet në zonë.

Thethi u zgjodh si subjekt i Kodit të Dizajnit (projekt pilot) për shkak se është një ndër zonat më të ruajtura të Alpeve Shqiptare pavarësisht zhvillimit të tij gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

Shpallja e Alpeve Shqiptare si Parku më i madh Kombëtar në Shqipëri shtron nevojën e ruajtjes së balancës mes natyrës dhe zhvillimit. Të izoluar për shekuj me radhë, këto zona e panë turizmin e brishtë të dekadës së fundit si mundësinë e vetme të zhvillimit, ndërsa trysnia e këtij të fundit rrezikon të nxjerrë jashtë kontrollit menaxhimin e të mirave natyrore, të ruajtura së bashku me kulturën autoktone. E ndërkohë që ndërtimet në Alpet Shqiptare vazhdojnë në mënyrë të pakontrolluar, përkundër mungesës së shpeshtë të lejeve të ndërtimit dhe të dokumentacionit të rregullt të pronësisë së tokës, nevoja e një dokumenti si Kodi i Dizajnit, sa vjen e bëhet gjithnjë e më urgjente. Ky Kod do të jetë një manual udhëzues për institucionet, banorët dhe investitorët, duke u rekomanduar atyre çuarjen më tej të modeleve unike të arkitekturës tradicionale. Më tej, drafti do të konsultohet me të gjitha grupet e interesit, për të pasqyruar pikëtakimet e të gjithëve.

Aktiviteti u përcoll përmes fjalëve përshëndetëse të drejtorit të AKZM, Zamir Dedej, kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, përfaqësuesit e projektit CABRA, Ralf Peveling dhe dhe Shpresa Smajli.

Ndërsa ekspertët, Hartmut Mueller dhe planifikuesja urbane Eltjana Shkreli, theksuan nevojën që shembulli i mirë i Thethit, me gjithë pikat e tij të diskutueshme dhe të pasqyruara në draft Kodin e Dizajnit, të përshtatet dhe të kthehet në rregullore (instrument ligjor) në Shqipëri, e cila të zbatohet jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare.

Pas shfaqjes së një filmi dokumentar për shkollën verore të organizuar në Theth me studentë arkitekturës e urbanistikës nga universitet shqiptare e gjermane, të pranishmit vizituan ekspozitën “Arkitektura tradicionale – Kullat”. Përveç modelit simbolik të Kodit të Dizajnit të Thethit, ekspozita mbi Kodin e Dizajnit nga GIZ dhe organizata GO2 dhe e trajtuar rreth simbolikës së kullës, kishte punime të teknikave të ndryshme, si gur, dru, tekstil, tezgjah etj. Qëllimi i kësaj ekspozite ishte sjellja e kreativitetit të të rinjve të zonës si dhurata për turistët, si simbol i Alpeve Shqiptare dhe pse jo, si një ndihmesë për biznesin e vogël.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme