Kuriozitet

Deshifrohet mbishkrimi 3.200-vjeçar për pushtimin nga detarët misteriozë

Zürich, 12 tetor - Një grup arkeologësh zviceranë e holandezë ka deshifruar mbishkrimin në pllakën prej guri, 3.200 vjet të vjetër dhe me këtë konsideron se ka zgjidhur “njërin prej mistereve më të mëdha arkeologjike të Mesdheut”.

Në rrasën 29 metra të gjatë, e cila u gjet më 1878 në territorin e Turqisë së sotme, gjendet mbishkrimi më i gjatë në heroglife që i takon kohës së bronzit, transmeton “Koha Ditore” shkrimin “The Independent”. Bëhet fjalë për mbishkrim në gjuhën luviane, e cila shkencëtarëve u ka dhënë mundësi të gjejnë shkaktarin e shkatërrimit të civilizimeve të fuqishme të asaj kohe.

Aty përmendet invazioni që flota e mbretërive të bashkuara nga Azia e Vogël, bëri në qytetet në bregun verior të Detit Mesdhe.

Kjo “konfederatë detare e grabitjeve” sipas të gjitha gjasave është shkak i shkatërrimit të popujve vendorë të kohës së bronzit.

Shkencëtarët besojnë se mbishkrimi daton në vitin 1190 para erës sonë, dhe se atë e ka porositur Kupanta-Kurunta, mbreti i shtetit Mira.
Bashkë me shtete të tjera të Anadollit, në fund të kohës së bronzit ka pushtuar Egjiptin e lashtë dhe shtete të tjera në breg të Detit Mesdhe.

Shkencëtarët më herët kanë menduar se pushtuesit ishin ata që sollën shembjen e civilizimeve dominuese në atë periudhë, por që identiteti i tyre asnjëherë nuk qe zbuluar. Arkeologët i quajtën pushtuesit “Popuj trojanë nga deti”. Hulumtimi për gjetjet e fundit do të botohet në numrin e dhjetorit të revistës "Proceedings of the Dutch Archaeological and Historical Society".