Kuriozitet

Kush e tradhtoi Anna Frankën

Kurrë nuk është zbardhur me siguri të plotë se kush e tradhtoi familjen e Anna Frankës, vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani.

Tani, siç raporton “The Guardian”, kur kanë kaluar 75 vjet nga ngjarja, Vince Pankoke, agjent i FBI-së në pension, përpiqet t’i japë përgjigje misterit holandez.

Pankoke do të përdorë teknika investigative të brezit të fundit dhe sisteme të inteligjencës artificiale. “Me alegoritmet dhe software-t e fuqishme janë studiuar 25 kilometra dosje dhe dokumente”, ka deklaruar ish-agjenti.

Për të financuar operacionin, por edhe për të marrë sinjalizime dhe për të publikuar hapat e hetimeve, detektivi ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh.

Skuadra hetimore përbëhet nga 19 ekspertë, kryesisht kriminologë, gazetarë, informues dhe historianë.

Pankoke dëshiron të zgjidhë çështjen e fundit të karrierës së tij në emër të Anna Frank dhe për këtë do të studiojë disa lista me emrat e hebrenjve që kishin rënë në duart e njësive naziste në Amstërdam sepse ishin tradhtuar nga persona të tjerë.

Në një nga studimet e fundit të bëra në lidhje me këtë çështje, në dhjetor të vitit 2016 me nismë të Shtëpisë Muzeale të Frank, dilte në përfundimin se familja në fjalë ishte gjetur rastësisht nga policia në gusht të vitit 1944, gjatë një kontrolli për falsifikim dokumentesh në shtëpinë ku ishte strehuar.

Por në të kaluarën dyshimet binin mbi të paktën 30 persona, më “i famshmi” mes të cilëve Wilhelm van Maaren, punëtor i një fabrike pranë shtëpisë, edhe pse provat në ngarkim të tij janë konsideruar të pamjaftueshme.