Kuriozitet

Një bujqësi pa përdorur tokën, kjo është ideja e shkodranit

Për në Melgush nuk ecën gjatë. Merr kthesën majtas nga kryqëzimi i Vaut të Dejës dhe mbërrin në rrugën kryesore. Nga qendra e fshatit ferma nuk ishte më shumë se 2 kilometra dhe po të pyesje përreth, të gjithë e dinin vendndodhjen.

Vërdallë, të bëjnë përshtypje makinat me targa të huaja. Shumë kanë emigruar nga ky vend. Pushimet e verës duket se kanë rikthyer një pjesë të djemve të larguar. Ndër lokale, që janë të mbushur vetëm me burra që bisedojnë me zë të lartë, pihet alkool që herët.

Është një mënyrë e vjetër sa bota për të harruar hallet e jetës së përditshme. Ndërsa, në një shtëpi dykatëshe në anë të rrugës, vazhdonte ahengu i dasmorëve, dhe po aty mund të vështroje hyrjen e disa të rinjve që tentojnë të marrin pjesë në dasmë. Kush vjen pa ftuar e gjen të shtruar. Kjo thënie funksionon edhe në këto anë.

“Këtej njerëzit janë bujarë. Ne themi xhepat bosh dhe tryezat plot”, thotë me shaka Bledar Zhejani. Edhe ai është nisur herët nga Tirana për të na treguar minifermën e tij. E shoqja dhe djali i vogël rrinin buzagaz në hyrje të portës. Miqësisht uronin mirëseardhjen. “Urdhëroni këtej”, thotë ajo me zë të ëmbël. Të dy jetojnë në Tiranë bashkë më djalin e tyre të vogël, ku secili ka gjetur një punë dhe një strehë të mirë. Megjithatë, diçka me vlerë i riktheu për pak në Shkodër, e cila nëse shkon mirë do të jetë e veçantë për vendin.

“Ky quhet sistemi acuaponics”, thotë Bledari, teksa ne mundohemi të kuptojmë qartë idenë. Ai ka ngritur një sistem me kate të prodhimit bujqësor, një model të cilin e ka parë mjaft në vendet europiane, prej nga produktet mund të prodhohen jo direkt nga toka, por nga akuariumi i peshqve, të cilët prodhojnë amoniak. Ideja e tij është prodhimi i produkteve si sallata, luleshtrydhet, domatet etj, pa përdorimin e pesticideve.

“Peshqit prodhojnë amoniak në mënyrë natyrale, ti i jep për të ngrënë. Amoniaku me anë të baktereve, që gjenden në mënyrë natyrale aty në ujë, kur i jep për të ngrënë, nga mbetjet ushqimore kthehen në nitrit, nitriti në nitrat, dhe nuk ka nevojë ta blejmë për bimë, siç blihet normalisht, por prodhohet në mënyrë natyrale”, thotë i riu, teksa shpjegon se si mund të mbillen bimët.

“Ka disa mënyra, të mbushura me një argjile, gur vokanik apo zhavorr në bazë të kushteve që keni dhe fidanët i vendos në këtë gotë plastike që ka argjilën në fund. Bima zgjat rrënjët dhe thith lëndët e nevojshme. Duke thithur lëndët e nevojshme uji rikthehet sërish i pastruar te peshqit. Peshku prodhon ushqimin për bimët, bimët thithin ushqimin dhe uji rikthehet në mënyrë natyrale. Nëse ne duhet ta maksimizojmë këtë i vendosim dhe pompat e ajrit që rrisin nivelin e oksigjenit. E marrin oksigjenin me ajër dhe në ujë mbetet oksigjeni i nevojshëm për bimët dhe gjallesat ujore. Janë bërë provat për sallatën luleshtrydhen domatet, specat, trangujt”. I riu nga fshati Melgush i Shkodrës ka përfunduar studimet në Universitetin e Padovës për radiologji mjekësore.

“Më mirë të parandalosh se të kurosh”, thotë Bledari, duke i mëshuar idesë së tij për prodhime të sigurta ushqimore.

“Këtë skemën po mundohet ta prodhoj dhe vetë. Ideja është një sistem komercial. Më tej ti bëjmë dhe sistemi të vogla. Sistemi mund të jetë për qejf dhe ai të prodhon, por sa më i madh të bëhet kalon për qëllime familjare dhe më tej komerciale. Ideja është të evitohen pesticidet dhe hormonet. Projekti acua-ponics është një sistem ekologjik i avancuar që merret me rritjen e gjallesave ujore, siç është peshku, gaforret apo breshkat dhe në simbiozë me rritjen e perimeve apo frutave siç janë domatet, sallata apo luleshtrydhet si dhe bimë medicinale.

Ideja ime është që të shfrytëzohet në maksimum hapësira, madje mendoj edhe të vendosim shafranin, që është një bimë mjaft e shtrenjtë, po edhe me përdorim të gjerë në kuzhinë. Kjo bëhet në mënyrë natyrale pa përdorimin e pesticideve apo hormoneve dhe të integruar me teknologjinë e automatizuar. Të mirat e kësaj gjëje janë: reduktimi i punës në maksimum sepse nuk përdoret toka, reduktimi i ujit, pasi ai kthehet sërish sepse bimët mund të mbillen më afër njëra tjetrës, vertikalisht. Kjo mund të bëhet edhe në ambiente të mbyllura, në një akuarium vendos peshqit dekorativë, të kuq dhe këtë ta shfrytëzoni për të rritur disa sallatëra dhe gjëra të tjera, që mund t’i keni ju në kuzhinën tuaj” shpjegon Bledari.

Kostot

Të gjithë njerëzit duan të ushqehen shëndetshëm. Mania për të marrë produktin e freskët dhe atë më cilësor çon hera herës në një konfundim të konsumatorit. A është vërtetë produkti më i shtrenjtë më i mirë apo kjo është vetëm një parados i mbetur i tregtisë së lirë dhe konkurrencës së pandershme. “Ky sistem është i provuar në shumë vende, Itali, Gjermani, Hollandë. Nëse bima sëmuret ka disa spërkatës me hudhër apo spec djegës, të cilët mund t’i përziejmë. Hudhra është antibiotik natyral dhe në vend që ta spërkatësh me pesticide, i ofron gjëra natyrale. Kostot janë ato të ndërtimit. Bleni një akuarium, dërrasat. Mendojmë se me një kosto 5000 lekë të reja të bëhet për qëllime familjare, tani po merrem me anën komerciale.

Projekti

Programi i vetëpunësimit financuar nga qeveria zvicerane dhe i zbatuar, mbështet të rinjtë që kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar biznesin e tyre. Nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin, këshillimeve të vazhdueshme gjatë gjithë fazave të programit, dhe mbështetjes financiare (në formën e pajisjeve dhe / ose materialeve), programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qëndrueshme. Kështu, Bledar Zhejani pasi dëgjoi për programin nuk ngurroi të prezantonte idenë e tij, e cila ishte mjaft interesante dhe arriti të merrte mbështetjen maksimale nga projekti si për anën trajnuese dhe atë finaciare, ku përfitoi një fond prej 500 mijë lekë, me anë të së cilit Bledari thotë se ka bërë thuajse gjysmën e punës (marrë nga Shekulli).

{gallery}