Kuriozitet

Shqipëria e Zvicra me reshjet më të mëdha në Europë, Kolumbia e para në botë

Shqipëria bashkë me Zvicrën kanë rezultuar si vendet me sasinë më të lartë të reshjeve vjetore, sipas një kalkulimi të Bankës Botërore për reshjet mesatare ndër vite.

Harta globale e reshjeve e publikuar së fundmi nga Banka dalloi Shqipërisë si një nga vendet me intensitet të lartë të reshjeve me një mesatare 1,485mm në vit. Në vendin e parë për nga volumi i reshjeve u rendit Zvicra me 1,537mm në vit.

Më tej në renditje vijnë, Norvegjia, Britania e Madhe, Austria, Kroacia dhe Bosnja, të cilat kanë reshje vjetore në sasi më të lartë se 1000 mm.

Në rang global reshjet më të larta vjetore i ka Kolumbia me 3,240 mm dhe vende të tilla si ishujt e Indonezisë me mbi 2000 mm në vit.

Banka Botërore duke publikuar hartën e reshjeve kërkon nga vendet që janë më shumë të prekura të investojnë më shumë në teknologjinë e parashikimit të motit. Duke hulumtuar në parashikime të sakta mund të parandalohen ose së paku do të mund të minimizohen humbjet ekonomike që krijon ndryshimi i motit.

Shqipëria është rasti tipik ku mungesa e parashikimeve dhe bashkëpunimi i institucional ka krijuar kosto të rënda ekonomisë së vendit.

Në vitet 2010 dhe 2011 kur reshjet e shumta të borës dhe shkrirja në pak orë krijoi përmbytje të mëdha, fatura e dëmeve do të ishte më e paktë nëse KESH në atë kohë do të kishte parashikime të sakta të motit mbi tavolinë.

Banka Botërore thotë se rreziqet hidrologjike dhe meteorologjike (“hydromet”) janë përgjegjëse për 90% të totalit të humbjeve nga fatkeqësitë natyrore në mbarë botën.

Të jesh në gjendje të parashikosh dhe paralajmërosh qytetarët për rreziqet natyrore dhe fatkeqësitë i shtyn qeveritë të reduktojnë rreziqet ekonomike për të shpëtuar jetën e njerëzve.

Hulumtimi i Bankës Botërore tregon se çdo vit, vendet mund të kursejnë 13 miliardë dollarë nga humbjet e aseteve vetëm duke investuar në shërbimet hidromete.