Kuriozitet

Milionerja britanike zbulohet nga ish-polici shqiptar si e pastrehë në Milano

Një milionere britanike rezultonte e zhdukur prej 6 muajsh dhe gjendet në Milano të Italisë nga një ish-agjent policie me origjinë shqiptare. Gruaja 55-vjeçe flinte në rrugët e Milanos dhe zhdukja e saj përbënte një mister për familjen. Gruaja kishte studiuar në universitetet më të mira, fliste 4 gjuhë dhe kishte një punë të shkëlqyer.

Ariane, qytetare britanike e lindur në Iran dhe një super menaxhere e një agjencie produksioni kinematografik, kishte ndërprerë kontaktet me familjen marsin e 2017, transmeton Shqip raportimin e medieve. Familja kontaktoi një agjenci private hetimi me seli në Itali, sepse ajo kishte në Milano shumë të njohur dhe miq.

Agjencia e hetimit drejtohej nga një ish-polic me origjinë shqiptare. Ai kishte luftuar mafien në Milano dhe konsiderohej shumë ekspert dhe karizmatik tek kolegët e tij. Ish- agjenti u vu në lëvizje duke nisur vetëm nga një foto, por iu desh shumë kohë që të hetonte pistën e duhur. Duke pyetur policët, mori edhe të dhënat e para për një grua që jetonte në rrugë dhe që i ngjante shumë Arianes.

Pas disa kohësh ai e gjeti gruan duke fjetur në një shesh në Milano. Pasi u takua një ditë më parë me të motrën, Ariane tha: -“Nuk di ta shpjegoj… Ndoshta kam qenë duke ecur dhe më kanë sulmuar e grabitur. Kam rënë në tokë, e kam goditur kokën…..Më pas nuk kisha me vete çantën me para, celularin, dokumentet. U dashurova me Milanon… Banorët, kalimtarët dhe vullnetarët më ofruan ndihmë, por unë nuk doja… Ata më jepnin ushqime dhe unë refuzoja. Haja tek koshat e mbeturinave që ndodheshin jashtë restoranteve dhe hoteleve”.