Kuriozitet

Pamjet mahnitëse nga festivali i Gjenevës

Një nga spektaklet më të mëdha në botë të fishekzjarrëve, finalja e festivalit të përvitshëm veror në Gjenevë, ka tërhequr me mijëra vetë në qytet këtë fundjavë.

Spektakli mahnitës mbi liqenin e Gjenevës zgjati për 50 minuta dhe u shoqërua me një mori sekuencash muzikore. I krijuar 94 vite më parë, Festivali i Gjenevës është një shfaqje 10-ditore, që mbahet çdo vit në ditët e para të gushtit, duke pritur shumë koncerte dhe spektakle, performanca në rrugë dhe gara.

Është shfaqja më e rëndësishme turistike në Zvicër, me rreth 1.2 milionë njerëz që marrin pjesë në festival çdo vit, transmeton tch. Sipas zëdhënësit të festivalit, shumë turistë, kryesisht nga Lindja e Mesme, por edhe nga SHBA, Britania dhe Franca, marrin pjesë në shfaqjen që konsiderohet një ndër më të mirat në Evropë.

“Ky festival është ndërkombëtar, së pari sepse është i famshëm falë fishekzjarreve të tij muzikore që zgjasin për thuajse një orë. E në këtë festival ka aq shumë fishekzjarre sa nuk mund të shohësh diku tjetër në botë. Ndaj, ky është vendi i duhur për ata që i pëlqejnë fishekzjarret. Ata e dinë këtë dhe vijnë”, tha Bernard Cazaban, zëdhënës i festivalit.

Nga 3 deri më 10 gusht, masat e sigurisë janë përforcuar me pika kontrolli, e madje edhe barriera betoni nëpër rrugë, ndërkohë që disa zona janë mbyllur për qarkullimin. Këtë vit, për të parën herë, “jets”-at e famshëm të ujit të Gjenevës ishin pjesë e spektaklit. Vitin e ardhshëm, banorët e Gjenevës do të votojnë për të vendosur nëse festivali do të reduktohet në vetëm një javë, apo jo.