Kuriozitet

Navas “kidnapohet” nga Sevilla

Sevilla ka konfirmuar transferimin e Jesus Navasit në një prej njoftimeve më bizare për transferim të një futbollisti.

Reprezentuesi i Spanjës është pajtuar të kthehet te klubi i tij i fëmijërisë, pasi është liruar në qershor nga Manchester City, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.

Por në vend se të publikohen foto standarde të tij me fanellë të klubit të ri, krerët e Sevillas vendosën një video në të cilën shihet sulmuesi anësor i shpejtë duke u kidnapuar nga disa “hajdutë” para se të lirohej në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”.

Në atë film shihet Navas shumë i lumtur që është kthyer te klubi tek i cili ka kaluar dhjetë vjet karrierë.

Ishin pikërisht paraqitjet te Sevilla që ia siguruan vendin te përfaqësuesja e Spanjës dhe e bënë një prej lojtarëve më të vlerësuar në vend në pozitën e tij.

Ai u largua nga klubi në vitin 2013 për të kompletuar transferimin te Manchester City për 14.8 milionë funte, ku qëndroi gjatë katër vjetëve. Navas shpejt la përshtypje të mira në Manchester, duke fituar titullin e Premier Leagues në stinorin e tij debutues dhe duke pasur 30 paraqitje.

Mirëpo, pas dy vjetëve të tjerë si lojtar me rëndësi te City, ai u la në harresë me ardhjen e trajnerit Pep Guardiolas, verën e kaluar.

Ai u lirua këtë verë pas 134 ndeshjeve me Cityn dhe katër golave të shënuar. Navas në periudhën e tij të parë te Sevilla pati 394 ndeshje në të gjitha garat dhe shënoi 34 gola.