Kuriozitet

Apeli në Kaliforni i klasifikon bletët si peshq

Një Gjykatë Apeli në Kaliforni ka bërë një veprim të pazakontë. Ajo ka klasifikuar bletët si peshq, sipas ligjit të shtetit për speciet e rrezikuara.

Çështja filloi në vitin 2019, kur Komisioni i Kalifornisë për Peshqit i klasifikoi bletët si të rrezikuara, për çka kanë reaguar edhe grupet bujqësore, raportoi të shtunën “UPI”.

Këto grupe në një apel kanë argumentuar se bletët nuk mund të renditeshin si të rrezikuara nën ombrellën e jovertebrorëve, sepse ligji i specieve të rrezikuara të Kalifornisë, nga vitet 1970 i përcakton në mënyrë eksplicite jovertebrorët, kafshët pa shtylla kurrizore si "peshq".

Gjykata e Apelit e Qarkut të 3-të të Kalifornisë në Sacramento tashmë ka anuluar vendimin e mëparshëm, duke i kthyer bletët në listën e specieve të rrezikuara.

Gjykata vendosi që jovertebrorët e tjerë joujorë, si kërmijtë, të listohen si të rrezikuar në kategorinë e peshqve.

"Rrjedhimisht, një jovertebror tokësor, si secila prej katër llojeve të bletëve, mund të renditet si specie e rrezikuar sipas ligjit," shkroi në vendim gjyqtari i asociuar, Ronald Robie.

Vendimi u përshëndet nga Shoqëria “Xerces” për Ruajtjen e Jovertebrorëve.

"Ky vendim në thelb i lejon shtetit të Kalifornisë të mbrojë bletët dhe speciet e tjera të rrezikuara të insekteve, si dhe llojet e tjera të jovertebrorëve tokësorë sipas aktit të specieve të rrezikuara të shtetit", tha në një njoftim për shtyp Sarina Jepsen, drejtoresha e specieve të rrezikuara të “Xerces”.