Kuriozitet

Për herë të parë rriten bimë nga pluhuri që u mor nga Hëna

Shkencëtarët kanë rritur bimët në tokë hënore për herë të parë, duke shënuar një hap i rëndësishëm për të bërë të mundur qëndrimin afatgjatë në Hënë.

Studiuesit përdorën mostra të vogla pluhuri të mbledhura gjatë misioneve Apollo 1969-1972 për të rritur një lloj bime, raporton BBC të premten. Për habinë e tyre, farat mbinë pas dy ditësh.

"Nuk mund t'ju them se sa të habitur ishim”, ka thënë Anna-Lisa Paul, një profesoreshë e Universitetit të Floridës, e cila ishte bashkëautore e një punimi mbi gjetjet.

"Çdo bimë dukej e njëjtë deri rreth ditës së gjashtë”, ka shtuar ajo.

Pas kësaj, u shfaqën dallime. Bimët e rritura në tokën e hënës u zhvilluan më ngadalë.

Por të përfshirët thonë se ky është një zbulim - dhe që ka implikime tokësore.

"Ky hulumtim është kritik për qëllimet afatgjata të eksplorimit njerëzor të NASA-s, pasi ne do të duhet të përdorim burimet e gjetura në Hënë dhe Mars për të zhvilluar burime ushqimore për astronautët e ardhshëm që jetojnë dhe veprojnë në hapësirën e thellë”, ka thënë shefi i NASA-s, Bill Nelson.

"Ky hulumtim themelor i rritjes së bimëve është gjithashtu një shembull kryesor se si NASA po punon për të zhbllokuar zbulimet bujqësore që mund të na ndihmojnë të kuptojmë se si bimët mund të kapërcejnë kushtet e vështira në zonat me mungesë ushqimi këtu në Tokë”, ka shtuar ai.

Një sfidë për studiuesit është se nuk ka shumë tokë hënore për të eksperimentuar. Gjatë një periudhe trevjeçare nga viti 1969, astronautët e NASA-s sollën 382 kg shkëmbinj hënor, mostra bërthamore, guralecë, rërë dhe pluhur nga sipërfaqja hënore.

NASA planifikon të zbarkojë njerëzit në Hënë për herë të parë që nga viti 1972, në një mision të planifikuar për vitin 2025.