Kuriozitet

Amerikani dëmshpërblehet me 450 mijë dollarë pasi kompania ia festoi ditëlindjen pa dëshirë

Descriptive Text

Një burrë nga Kentucky është shpërblyer me 450.000 dollarë, pasi kompania e tij ia organizoi një festë për ditëlindje, pavarësisht paralajmërimeve të tij se kjo do t’i shkaktonte stres dhe ankth.

Paditësi Kevin Berling, pretendon se festa e padëshiruar e ditëlindjes së vitit 2019 në kompaninë Gravity Diagnostics, i shkaktoi atij një sërë sulmesh paniku, ka raportuar BBC-ja të martën.

Në padinë e Berlingut pretendohet se kompania e diskriminoi atë për shkak të aftësisë së kufizuar. Ndërkaq, kompania ka mohuar çdo keqdashje.

Sipas padisë së ngritur, Berling - i cili vuan nga çrregullimet e ankthit, i kishte kërkuar menaxherit të tij që të mos ia organizonte festën e ditëlindjes së tij në punë siç bënte zakonisht me punonjësit e tij, pasi mund të rezultonte me një sulm paniku dhe do ta kthentë në kujtimet e pakëndshme të fëmijërisë.

Pavarësisht kërkesës së Berlingut, kompania, e cila kryen teste për COVID-19, i organizoi atij një festë surprizë në gusht të vitit2019, duke i shkaktuar një sulm paniku. Ai u largua shpejt nga festa dhe përfundoi drekën në veturën e tij.

Padia thekson se Berlingu u "konfrontua dhe u kritikua" në një takim të nesërmen, ku ai u akuzua se "vodhi gëzimin e kolegëve të tij". Takimi i tensionuar i shkaktoi një sulm të dytë paniku, pas të cilit kompania e dërgoi atë në shtëpi për pjesën e mbetur të 8 gushtit dhe 9 gushtit.

Më 11 gusht, “Gravity Diagnostics” e pushoi nga puna, duke përmendur shqetësimet për sigurinë në vendin e punës.

Padia e tij tani pretendon se kompania e diskriminoi atë për shkak të një paaftësie dhe u hakmor në mënyrë të padrejtë ndaj tij.

Pas një prove dyditore në fund të marsit, gjykata vendosi që ai duhet të dëmshpërblehet me 450,000 dollarë, duke përfshirë 300,000 dollarë për shqetësimin emocional dhe 150,000 dollarë për pagat e humbura.

Zyrtarja kryesore operative e kompanisë, Julie Brazil, u tha mediumit lokal ”Link NKY” se “Gravity Diagnostics” qëndron pas vendimin e saj për të pushuar nga puna Berlingun.

“Punonjësit tonë ishin viktima në këtë rast, jo paditësi”, tha ajo, duke shtuar se kompania po kundërshton vendimin dhe po e shqyrton mundësinë e apelit.

Avokati i Berlingut, Tony Bucher, i tha BBC-së se “nuk kishte absolutisht asnjë provë" se ai përbënte një kërcënim për këdo në kompaninë Gravity që do të kërkonte shkarkimin e tij.

Të dhënat nga Aleanca Kombëtare për Sëmundjet Mendore tregojnë se mbi 40 milionë amerikanë - gati 20% e popullsisë, vuajnë nga çrregullimet e ankthit.