Gruaja e gjen në Facebook biçikletën që ia kishin vjedhur – shkon e vjedh prapë

Gruaja e gjen në Facebook biçikletën që ia kishin vjedhur – shkon e vjedh prapë

15 korrik 2017 23:26

Një grua luftuese e krimit mori gjërat në duart e veta duke vjedhur biçikletën e saj në një operacion të guximshëm nga një person që po e shiste atë në Facebook – pak orë pasi biçikleta ishte vjedhur prej saj.

Pasi e takoi shitësin, gruaja nga Bristoli, Britani e Madhe, Jenni Morton-Humphreys, u shtir sikur po e merrte biçikletën për ta testuar, para se të largohej ‘me shpejtësi të dritës’.

Këtë hakmarrje ajo e planifikoi pasi e caktoi takimin me një person që po e shiste biçikletën e saj mëngjesin pasi i ishte vjedhur në qendër të Bristolit, raporton “Bristol Post”.

Policia e kishte paralajmëruar që të mos e niste këtë operacion – por ajo vendosi të vazhdonte tutje pasi policia nuk kishte pranuar ta shoqëronte atë në këtë aksion, apo ta arrestonin dhe t’ia kthenin asaj biçikletën, transmeton Koha.net.

Gruaja 30 vjeçare brengosej në mos biçikleta do t’i shitej dikujt tjetër dhe kështu vendosi të vepronte shpejt.

Ngjarja kishte nisur në orët e paradites kur Jenni e kishte kyçur biçikletën e saj në qendër të qytetit dhe ishte ulur për të ngrënë mëngjes në një restorant. Por, me t’u kthyer, kishte kuptuar se biçikleta i ishte vjedhur dhe e kishte raportuar në polici. Ajo po ashtu e kishte vendosur fotografinë e biçikletës së saj në një faqe të çiklistëve të Bristolit në Facebook.

Një nga ndjekësit e kësaj faqeje kishte vendosur ta ndihmonte Jennin dhe kishte zbuluar se biçikleta e saj ishte vënë në shitje në një faqe tjetër të Facebookut.

Më pas ai e kishte kontaktuar Jennin, ndonëse s’e kishte njohur më parë, dhe së bashku kishin bërë planin për rikthimin e biçikletës së saj të shtrenjtë, modeli Cube, prodhim gjerman.

Ai e kishte kontaktuar shitësin e biçikletës së vjedhur dhe i kishte thënë se motra e tij ishte në kërkim të një të tille. E kishte lënë takimin për motrën e tij – që në fakt ishte Jenni – që të shkonte e ta takonte shitësin.

Jennie i kishte telefonuar policisë për t’ia dhënë këto informata, me shpresën se do t’i dilnin në ndihmë. Përderisa ata ishin të interesuar ta hetonin më tej rastin, i kishin thënë Jennit se nuk do ta ndihmonin në planin e saj dhe e shkurajuan atë që të mos i hynte kësaj situate potencialisht të rrezikshme.

Por ajo, megjithatë, vendosi të shkonte atje dhe kështu bëri. Thotë ta ketë takuar shitësin dhe t’i kishte kërkuar atij që ta merrte biçikletën për ta testuar, transmeton Koha.net.

“I hipa dhe nisa të lëvizja ngadalë. Pasi u largova disa metra, i dhashë sa më shpejt që mundja”, ka thënë Jenni. “As nuk u ktheva të shihja nëse po më ndiqte nga prapa”.

Jenni thotë të ishte befasuar me të arritur në shtëpi. “E kishin stolisur paksa biçikletën – madje e kishin rregulluar edhe dritën e përparme”, thotë ajo.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme