Kuriozitet

Shpëtohet lopa në Harilaq që kishte ngecur në katin e dytë të një ndërtese të braktisur

Një lopë është shpëtuar sot pasi ka ngecur në katin e dytë të një objekti të pashfrytëzuar që gjendet në kodrën e Goleshit, në fshatin Harilaq të Fushë-Kosovës.

Ndonëse nuk dihet se si ka përfunduar lopa aty, ajo është shpëtuar nga një qytetar i cili ishte angazhuar nga Komuna e Fushë Kosovës që ta zbriste lopën në tokë me vinçin e tij.

Imer Islami, qytetari në fjalë, ka publikuar në Facebook një video në të cilën shihet momenti kur lopa zbritet në tokë përmes vinçit.

Islami thotë se lopën e shpëtoi komuna e Fushë Kosovës.

“Sot e shpëtoi lopën Komuna e Fushë-Kosovës në fshatin Harilaq, Bislim Islami me kamion”, shkruhet në përshkrimin e videos.

Click Channel mëson se komuna e ka angazhuar qytetarin Bislim Islami duke ia hequr shpenzimet, që me kamionin e tij ta shpëtojë lopën.