Kuriozitet

Ish-udhëheqësi pakistanez, Musharraf, nis karrierë televizive si analist politik

Ish-lideri ushtarak i Pakistanit, gjenerali i pensionuar Pervez Musharraf, ka nisur karrierën e re si analist politik në një emision javor televiziv, që konsiderohet rol i spikatur për ish-liderin që tani jeton në Dubai dhe përballet me disa raste kriminale në shtëpi.

Emisioni, “Pakistan First with President Musharraf”, debutoi të dielën në televizionin pakistanez “Bol TV”, një kanal që kohës së fundit ra në kundërshtim me rregullatorët qeveritarë kur një prej nikoqirëve të tij u akuzua për gjuhë të urrejtjes, raporton Reuters.

Musharraf, i cili mori pushtetin më 1999 pas një puçi ushtarak dhe dha dorëheqje 9 vjet më vonë pas protestave masive, u lejua të ikte nga Pakistani vitin e kaluar për arsye shëndetësore për të cilat, avokati i tij tha se e pengonin atë të merrte pjesë në seancat gjyqësore për tradhti dhe akuza tjera. Musharraf i kishte mohuar akuzat, transmeton Koha.net.

Në episodin e parë të programit të dielën, ish-gjenerali u shfaq drejtpërsëdrejti nga Dubai dhe iu përgjigj pyetjeve për gjendjen e sigurisë në Pakistan, ku më shumë se 130 persona u vranë në sulmet militante në muajin shkurt.

Duke folur për fushatën e fundit ushtarake që ka për cak grupet militante, Musharraf tha se duhet adresuar shkaktari bazë i ekstremizmit.

As Musharraf e as përfaqësuesit e Bol TV nuk kanë qenë në dispozicion për koment.

Ushtria e fuqishme e Pakistanit nuk ka komentuar kur janë kontaktuar nga Reuters për emisionin, e as autoriteti rregullativ televiziv.

Rastet penale kundër Musharrafit janë ngritur nga prokurorët gjatë qeverisjes së kryeministrit Nawaz Sharif, i cili u rrëzua nga posti pas puçit më 1999. Sharif u kthye në pushtet përmes zgjedhjeve katër vjet më parë.

Rastet kundër Musharrafit janë parë si burim tensioni në mes të ushtrisë dhe qeverisë së Sharifit.

Musharraf nuk është kthyer në Pakistan që kur i ishte lejuar largimi vitin e kaluar.