Kuriozitet

“Uber” obligohet t’i paguajë 1.1 milion dollarë një gruaje të verbër

Descriptive Text

Kompania e taksive “Uber” është obliguar që t’i paguajë 1.1 milion dollarë një gruaje të verbër e cila ishte refuzuar të transportohej në 14 raste të ndryshme.

Lisa Irving ka deklaruar, se vozitësit e kësaj kompanie ishin në disa raste verbalisht abuziv ndaj saj dhe se e kanë ngacmuar atë për transportimin e qenit të saj, i cili e udhëzon atë për kryerjen e lëvizjeve.

Njëri prej shoferëve të taksit është akuzuar se e ka lënë në gjysmë të rrugës gruan e verbër duke i thënë se e ka dërguar në destinacionin e kërkuar.

Një arbitër i pavarur ka thënë se shoferët e Uber-it kanë bërë diskriminim ndaj gruas marrë parasysh gjendjen e saj.

Ndërkaq, Irving ka thënë se sjelljet e këqija të shoferëve kishin vazhduar pavarësisht se është ankuar disa herë tek kompania.

Ndërkohë, kompania ka thënë se nuk është përgjegjëse për këto veprime duke argumentuar se shoferët më shumë e kanë statusin e kontraktorëve sesa të të punësuarve të kompanisë.

Kjo nuk është hera e parë që “Uber” përballet me akuza nga komuniteti i të verbërve.