Kuriozitet

Autoritetet në Ekuador konfiskojnë 185 breshka të Galapagosit nga kontrabandistët

Autoritetet doganore në Ekuador kanë zbuluar 185 breshka të vogla brenda një valixhe, që po dërgohej nga Ishujt Galapagos për në Ekuador të dielën, raporton BBC.

Breshkat ishin mbështjellë në plastikë dhe u zbuluan gjatë një kontrolli rutinor në aeroportin kryesor në ishullin Baltra.

Dhjetë nga breshkat kishin ngordhur, kanë njoftuar autoritetet.

Një prej rreziqeve më të mëdha të breshkave të Galapagosit është tregtia ilegale me kafshë.

Breshkat që janë zbuluar në aeroport mendohet se janë tremuajshe.

Autoritetet thonë se çmimi mund të sillet deri në 5000 dollarë për një breshkë të tillë. Besohet se kontrabandistët i mbështollën breshkat me qese plastike për t’i imobilizuar ato, por megjithatë u zbuluan nga rëntgeni në aeroport.

Valixhja ishte vendosur në aeroport nga një firmë transporti dhe ishte thënë se përmban “suvenire” të caktuara, thuhet në deklaratë të aeroportit.

Nuk është arrestuar asnjë person, por janë marrë në pyetje punonjësit e firmës së transportit.

Ministri i Ambientit në Ekuador, Marcelo Mata, e ka përshkruar këtë incident si krim ndaj faunës dhe trashëgimisë së natyrës së Ekuadorit.

Shumë bimë dhe kafshë të gjetura në Galapagos janë unike. Ishujt gjenden në Oqeanin Paqësor rreth 1000 milje nga bregu i Ekuadorit.

Në mesin e kafshëve më të famshme janë breshkat gjigante të Galapagosit, që besohet se janë vendosur në ishujt vullkanik rreth 4 milionë vjet më parë.

Dënimi për kontrabandim të kafshëve nga Galapagosi është mes një dhe tre vjet burgim.

Image