Kuriozitet

Faktet më interesante rreth botës

Descriptive Text

Me rreth 200 shtete dhe më shumë se 7.5 miliardë banorë, bota është e mbushur me njerëz, vende e gjëra interesante, qesharake dhe mahnitëse. Në tokën e kivitë, për shembull, është i përqendruar numri më i madh i pronarëve të kafshëve shtëpiake në të gjithë planetin. Derisa në Nikaragua gjendet njëri prej vetëm dy flamujve të botës që e përmbajnë ngjyrën vjollcë.

Të uritur për të ditur më shumë fakte mbi botën dhe popullatën e saj në ngritje? Lexojini në vijim faktet rreth së shkuarës, së tanishmes dhe së ardhmes së mundshme të globit.

Koreja Veriore e Kuba, vendet e vetme pa “Coca-Cola”

Image

Pa marrë parasysh se ku ndodheni, është një besim i nënkuptuar se do të mund ta shijoni përherë një shishe “Coca-Cola”. Epo mirë, pothuajse çdo kund. Derisa kjo pije e gazuar shitet praktikisht çdo kund, ajo nuk e ka gjetur (zyrtarisht) rrugën e saj deri në Korenë Veriore e Kubë, ka bërë të ditur BBC-ja. Kjo për shkak se këto dy vende ndodhen nën embargon e kahershme tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithëkëtë, ka disa burime që thonë se mund ta siguroni qasjen në disa gllënjka të kësaj pijeje po qe se mundoheni mjaftueshëm fort (ani pse për të duhet paguar bukur më shtrenjtë se në vendet e tjera).

Të gjithë popullatën e botës mund ta zërë Los Angeles

Image

Numri total i popullatës mbarëbotërore ka kaluar 7.5-miliardëshin. Dhe qartazi, kjo shifër tingëllon si enorme.

Megjithëkëtë, do të tingëllojë paksa më e menaxhueshme kur të mësoni se nëse akëcili prej të gjithë këtyre njerëzve qëndron krah më krah njëri-tjetrit, do të mund t’i zinte në territorin prej 500 kilometrash katrorë të Los Angelesit, sipas “National Geographic”.

Binjakët më të shumtë se kurrë më parë

Image

Mund të mendoni se binjakët janë raritet, por ç’është e vërteta ata janë bërë më të shpeshtë sesa kurrë më parë.

“Përafërsisht nga viti 1915, kur ka nisur mbajtja e statistikave e deri më 1980, përafërsisht një në çdo pesë foshnja të lindura ishin binjakë. E kjo përbën një shkallë prej 2 për qind”, kishte shkruar Alexis C. Madrigal në “The Atlantic”. “Mandej, shkalla ka nisur që të rritet: nga 1995 ishte 2.5 për qind. Shkalla e kapërceu 3-përqindëshin më 2001 dhe arriti në 3.3 për qind më 2010. Kjo do të thotë se një nga çdo 30 foshnja lind binjak”.

Shkencëtarët besojnë se ky trend ndodh shkaku i grave më të moshuara që lindin binjakë dhe i grave që zgjedhin të nisin familje në moshë më të shtyrë. Trajtimet kundër fertilitetit, si mbarështimi in-vitro, besohet të kenë luajtur gjithashtu një rol.

Indonezia ka më së shumti shtatshkurtër në botë

Ndonëse ka njerëz shtatshkurtër dhe të gjatë kudo në botë, Indonezia është epiqendra e personave më shtatshkurtër, sipas të dhënave nga burimet e ndryshme globale, mbledhur prej anës së “Telegraph”-it më 2017.

Kur merren parasysh të dy gjinitë, një i rritur mesatar është rreth 1.52 metra i gjatë. Njerëzit në Bolivi nuk janë të prirë të jenë aq të gjatë, duke e pasur një lartësi mesatare prej 1.54 metrash.

Personat më të gjatë janë aktualisht në Holandë, ku gjatësia mesatare e një të rrituri është 1.82 metër.

Emri më i gjatë i një vendi përmban 85 shkronja

Njerëzve që jetojnë në Mamungkukumpurangkuntjunya Hill të Austrisë u duhet paksa durim dhe goxha përqendrim, kur bëhet fjalë për ta mësuar gërmëzimin e emrit të qytetit të tyre të lindjes. Por a e dini se çfarë?

E njëjta vlen edhe për qytetarët e Lake Chargoggagoggman-chauggagoggchaubunagungamauggun në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Tweebuffelsmeteen-skootmorsdoodgeskietfonteinit të Afrikës Jugore.

Por megjithëkëtë, asnjëri prej tyre nuk ka aq punë kur e përshkruan adresën e qytetit ku jeton sesa ata në Taumatawhakatangihanga-koauauotamateaturipukakapikimaung-ahoronukupokaiwhenuakitanatahu të Zelandës së Re. Me plot 85 shkronja, ky është qyteti me emrin më të gjatë në botë.

Japonia, shteti me më së shumti tërmete

Tërmetet mund të ndryshojnë nga ato me dridhje të vogla që mezi vërehen e deri tek ato që rrënojnë ngrehina e shkundin dheun nën tokë. Por ato janë pjesë e pashmangshme e jetës, për ata që jetojnë në vendet si Kina, Indonezia, Irani dhe Turqia, të cilat janë ndër vendet më të goditura nga tërmetet në botë.

Megjithatë, sipas Studimit Gjeologjik Amerikan, Japonia shënon më së shumti tërmete në botë.

Vetëm dy shtete kanë flamujt me ngjyrën vjollcë

Në kërkim të të tjera fakteve interesante? Epo mirë, ja edhe një: Flamuri i Nikaraguas përmban një ylber në mes, në të cilin zë vend një shirit ngjyrë vjollcë, derisa ai i Republikës Dominikane ngërthen siluetën e një papagalli, një zog ky me pendë ngjyrë vjollcë. Këto elemente i bëjnë ata dy flamujt e vetëm në botë që e përmbajnë ngjyrën vjollcë.

Ekzistojnë më shumë se 24 zona kohore

Sikur zonat kohore të Tokës të ishin secila me nga një orë dallim, atëherë do të ekzistonin 24 zona kohore. Sidoqoftë, situata është paksa më e ndërlikuar sesa kaq. Meqë shumica e zonave kohore dallojnë për 30 deri në 45 minuta, ato nuk përkojnë në hapësirën e ngushtë të 24-orëshit. E kjo gjë do të thotë se ekzistojnë më shumë se 24, ndonëse është vështirë që të thuhet me saktësi se sa.

43 vende kanë ende familje mbretërore

Image

Familja mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar mund të jetë monarkia më e njohur në planet, por përreth ka edhe shumë përfaqësues fisnikë. Në tërësi janë 28 familje mbretërore që udhëheqin në total 43 shtete përreth botës, duke përfshirë Japoninë, Spanjën, Swazilandin, Tajlandën, Monakon, Suedinë, Holandën dhe Lihtenshtajnin.

Tokio, qyteti me numrin më të madh të banorëve në glob

Image

Kryeqyteti japonez Tokio është një qytet në shpërthim – jo vetëm për shkak të standardeve tejet të larta japoneze, por edhe kur krahasohet me qytetet e tjera përreth botës.

Me përafërsisht 45 milionë banorë që jetojnë në Tokio, ky është qyteti më i madh i botës kur bëhet fjalë për madhësinë e popullatës, kanë treguar të dhënat e Reutersit.

Qyteti i dytë më i madh në botë është Delhi i Indisë (që ka një popullatë prej më shumë se 29 milionë banorësh) dhe Shangai i Kinës me 26 milionë banorë.