Kuriozitet

“The Daily Swig”: Thaçi duke shkruar fjalëkalimin në PC, ndër huqjet më të mëdha të sigurisë kibernetike

Kriminelë budallenj, politikanë të pakujdesshëm, paaftësi në zgjidhjen e telasheve teknologjike dhe shumë veprime tjera të pamençura përshkuan fushën e sigurisë kibernetike gjatë 12 muajve të fundit.

Në mesin e këtyre gafave është futur edhe presidenti ynë, Hashim Thaçi, i cili, derisa po incizonte një intervistë televizive, shihet teksa shkruan fjalëkalimin e kompjuterit të tij të zyrës.

Këtë përmbledhje e ka bërë portali britanik i njohur për lajme të sigurisë kibernetike, “The Daily Swig”.

Në kategorinë e “huqjes” së Thaçit, portali ka përmendur edhe ekspozimin e kodit të telefonit të Kanye Westit gjatë një konference për media në Zyrën Ovale pas takimit me Presidentin amerikan, Donald Trump. Reperi është kapur duke shkruar ‘000000’ për ta hapur iPhone-in e tij, raporton Koha.net.

Pas tij është edhe kongresisti Lance Gooden i cili gjatë muajit tetor bëri pothuajse të njëjtin gabim duke zbuluar se fjalëkalimi i telefonit të tij ishte ‘111111’ pasi e shkroi atë gjatë një seance të Kongresit.

Por, kongresisti republikan nuk është politikani i vetëm që është kapur nga kamerat duke shkruar fjalëkalime të ndjeshme.

Në muajin mars, një video u shpërfaq në Twitter që shfaqte Hashim Thaçin, presidentin e Kosovës, duke u kyçur në kompjuterin e tij me një fjalëkalim shumë, shumë të thjeshtë.

Fjalëkalimi mbetet një e keqe e domosdoshme edhe përkundër parashikimeve se po shkojmë drejt një të ardhmeje pa fjalëkalime.