Kuriozitet

Ndotja e ajrit ndikon te truri

Ndotja e ajrit dhe ndotësit që gjenden në të mund të shkaktojnë ndryshime në tru, të cilat janë të ngjashme me Alzheimerin, por gjithashtu mund ta zvogëlojnë aftësinë e kujtesës tek të moshuarit.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit me grimca të imëta e rrit rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së Alzheimerit dhe llojeve të tjera të dementisë, por ende nuk është i qartë mekanizmi sesi ndikon ky lloj i ndotjes në tru dhe kujtesë.

“Ky është studimi i parë i cili në modelin statistikor vërtet tregon se ndotja e ajrit është e lidhur me ndryshimet në trurin e njerëzve dhe se këto ndryshime janë të lidhura me një rënie të performancës së kujtesës. Shpresojmë që me të kuptuarit më të mirë të ndryshimeve themelore të trurit të shkaktuara nga ndotësit, studiuesit do të mund të zhvillojnë masa intervenimi”, kanë thënë hulumtuesit.

Në studim u përfshinë pothuajse 1.000 femra të moshës 73 deri në 87 vjeç, të cilave iu monitorua aktiviteti i trurit për pesë vjet, transmeton emisioni “Reciklim” i KTV-së. Hulumtuesit gjithashtu e morën parasysh informacionin se ku jetonin femrat, si dhe të dhënat mjedisore të këtyre vendeve për ta vlerësuar ekspozimin e femrave ndaj grimcave të dëmshme.

Rezultatet treguan se femrat që ishin të ekspozuara ndaj nivelit më të lartë të grimcave të imëta gjithashtu kishin ndryshime më të mëdha në strukturën e trurit dhe rënie në funksionin kognitiv sesa ato që ishin më pak të ekspozuara.

Duhet rikujtuar se Alzheimeri është shkaku i gjashtë kryesor i vdekjes në Shtetet e Bashkuara, dhe aktualisht nuk ka ilaç efektiv për këtë çrregullim.

Ky hulumtim është edhe një pjesë e enigmës që është thelbësore për ta kuptuar Alzheimerin, duke i vërejtur disa ndryshime në tru që e lidhin ndotjen e ajrit dhe funksionin e dobësuar të trurit, shkruan Koha Ditore. Çdo hulumtim është një hap më afër zgjidhjes së problemit të Alzheimerit.

Ndotja e ajrit me grimca të imëta, të cilat futen lehtësisht në sistemin respirator dhe arrijnë të grumbullohen në tru, shoqërohet me astmë, sëmundje të zemrës, sëmundje të mushkërive dhe vdekje të parakohshme.

Këto grimca të imëta të ajrit vijnë nga prodhimet industriale, zjarret në pyje ose automjetet.