Kuriozitet

Gjyshi që dorëzoi nipin terrorist

Të marrësh vendimin e duhur shpesh kërkon që ta vendosësh moralin mbi familjen.

Këtë e bëri një i moshuar në rajonin autonom të ujgurëve në Kinë kur vendosi që ta dorëzonte tek autoritetet nipin terrorist që kishte vrarë një person për të ashtuquajturin “xhihad”.

Televizioni kombëtar i Kinës, ka publikuar një dokumentar në lidhje me sulmin terrorist që u organizua në rajonin Xinjiang në shtatorin e vitit 2015, raporton emisioni Reciklim i KTV-së.

Terroristët sulmuan një minierë thëngjilli, duke lënë të vdekur 16 persona, përfshirë tre policë.

Turgun, i mbijetuari i vetëm i këtij grupi terrorist ka thënë se ishte urdhëruar që të bënte vrasjet.

“Na thanë që të bënim xhihad me qëllim që të fitonim parajsën. Na thoshin se duhej të vrisnim dikë që të bëheshim martirë të parajsës. Më vonë e ekzekutova urdhrin dhe vrava një person”.

E gjyshi i tij, Mollaturdi Niyaz, 74-vjeçar, ka thënë se nuk kishte tjetër zgjidhje veç ta dorëzonte nipin e tij.

“Me vete e mbaja një shkop të hekurt dhe isha i gatshëm ta godisja në kokë në rast se tentonte të ikte”, ka thënë ai.

Dokumentari përmbante pamje të papara ndonjëherë të tragjedisë që tronditi Kinën në vitin 2015.