Kuriozitet

Vendos gjykata austriake: Shtëpia ku u lind Hitleri do të ndryshojë pamje ose do të shembet

Descriptive Text

Beteja shumëvjeçare për ndërtesën, ku ka lindur Hitleri, më në fund ka mbaruar, njoftoi të hënën (05.08) Ministria e Brendshme e Austrisë. Gjykata e Lartë austriake ka vendosur në anë të shtetit duke lënë shumën fillestare të ofruar prej saj për kompensimin e ish-pronarëve të ndërtesës.

Hitleri ka lindur në qytetin Braunau am Inn pranë kufirit me Gjermaninë në vitin 1889. Pasi nazistët erdhën në pushtet, shtëpia u ble nga partia dhe u përdor si një lloj qendre kulti fashiste. Pas luftës ajo iu kthye pronarëve fillestarë dhe u bë njëherë bibliotekë, më pas shkollë teknike dhe më pas qendër kujdesi për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Ndërtesa kishte mbetur e zbrazët prej pesë vitesh, qëkur Parlamenti austriak votoi marrjen e pronës me qëllim që të parandalohej kthimi i saj në një vend pelegrinazhi për neonazistët. Pronares Gerlinde Pommer iu ndanë si kompensim 810.000 Euro, raporton DW.

Megjithatë një gjykatë në qytetin e Riedit vendosi që Pommer duhej dëmshpërblyer më shumë, duke e vlerësuar kompensimin për të me 1,5 milionë Euro. Ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë rajonale në Linz dhe të hënën Gjykata e Lartë e vendit në Vjenë e gjeti të drejtë vendimin e gjykatësve të Linzit.

Qeveria austriake po konsideron ndërkohë plane që ose ta shembi ndërtesën, ose ta ndryshojë atë tërësisht që të mos ketë asgjë të përbashkët me pamjen e saj të dikurshme. Një konkurs arkitekturor do të organizohet për të përcaktuar të ardhmen e saktë të ndërtesës.

Ministri Brendshëm austriak, Wolfgang Peschorn tha se kjo “do të parandalojë çdo lloj aktiviteti rinovimi të Partisë Nacional-Socialiste”.