Kuriozitet

Sundimtari i Dubait, me poemë në Instagram dënon ikjen e bashkëshortes

Foto: Getty Images

Sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sundues i Dubait dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka shkruar një poemë të furishme në Instagram që dënon tradhtinë pasi gruaja e tij, Princesha Haya bint Al Hussein, e bija e mbretit të vdekur të Jordanisë dhe motra e mbretit aktual, iku fshehurazi në Evropë me djalin e tyre Zayed, 7 vjeç dhe vajzën Al Jalila, 11 vjeçe.

Haya besohet se fillimisht kishte kërkuar azil në Gjermani, dhe burimet thonë se aplikacioni i saj është aprovuar në parim.

Megjithatë, thuhet se ajo është duke kërkuar strehë në Britani të Madhe, me burime që i kanë thënë “The Daily Beast” se preferencat e saj janë që të jetojë në Londër, ku ajo thuhet se është duke banuar aktualisht në një lokacion sekret, transmeton Koha.net.

Bin Rashid, 69 vjeç, njihet si poet në vendlindjen e tij dhe kohë pas kohe, ngjarje të mëdha shtetërore dhe familjare, siç martesa, i shënon me vargje.

Edhe pse shkathtësitë e tij poetike shpesh kanë qenë subjekt i talljeve private, pak persona në botën e mbyllur të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë guxuar t’i kritikojnë mendimet e tij.

Poema e re, e cila duket se është shkruar nga princi në zemërim pas vendimit të gruas së tij për të ikur bashkë me djalin dhe vajzën e tyre (ligji islamik urdhëron se një grua që e lë burrin e saj nuk guxon t’i marrë fëmijët) është jashtëzakonisht e ashpër, madje edhe sipas standardeve të tij.

E titulluar “Jetove dhe vdiqe”, poema është një meditim i furishëm për tradhtinë, në të cilën poeti akuzon subjektin e paidentifikuar:

“Ti tradhtar, tradhtove besimin më të çmuar, dhe loja jote u zbulua.

“Ditët tua të gënjeshtrës kanë marrë fund dhe nuk ka rëndësi se çfarë ishim dhe çfarë je ti”.

Ai vazhdon të lëshojë edhe akuza tjera, që, edhe pse nuk e përmend me emër, ia dedikon bashkëshortes së tij të ikur.

Poema përfundon me një akuzim dramatik: “Ti nuk ke më vend me mua/ Shko tek ata/ato me të cilët ke qenë e zënë! Dhe le të jetë kjo e mirë për ty; Nuk më intereson nëse jeton apo vdes”.

“The Daily Beast” u interesua që të kuptojë nëse poema është përkthyer keq në anglisht dhe po tingëllon rëndë, por një burim i tha se në gjuhën arabe “tingëllon edhe më keq”.

Ndonëse nuk ka ndonjë shpresë serioze se ajo do të kthehet në shtetin shkretëtirë, thuhet se bin Rashid do të lejojë një shkurorëzim civil nga Haya dhe nuk do të luftojë që ta kthejë mbrapshtë në EBA.