Kuriozitet

Venecia ndalon qebaptoret për të mos i humbur identiteti qytetit romantik

Venecia është e njohur si “Qytet i Kanaleve” dhe “Qytet i Fundosur” dhe së fundmi i është shtuar edhe një tjetër epitet: “Qyteti i asnjë qebaptore tjetër”.

Autoritetet lokale kanë ndaluar hapjen e “fast-food”, përfshirë qebaptoret. Këtë vendim e kanë marrë që qyteti të ruajë trashëgimin kulturore të Venecias.

Ligji i ri që ka hyrë në fuqi gjatë të premtes, përcakton edhe numrin e dyqaneve që mund të shesin copa të picave.

“Duam t’ua vëmë frenat aktiviteteve të cilat nuk janë të përshtatshme me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore të Venecias”, ka thënë shefja e turizmit të qytetit, Paola Mar, raporton The Guardian.

Ajo ka shtuar se qyteti italian nuk ka pasur si cak qebaptoret dhe dyqanet “fast-food” dhe ka theksuar se ajo nuk e ka problem që njerëzit hanë jashtë.

“Problemi është se me një qytet turistik si ky i joni, ka rrezik që të humbet identiteti. Ka shumë produkte lokale të cilat ne duhet t’i promovojmë”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.

Sidoqoftë, për të shmangur ngrënien e ushqimit vend e pavend në qytet, Mar ka thënë se autoritetet janë duke krijuar zona të piknikut.

Nga ky ligj i ri është përjashtuar akullorja tradicionale e Venecias.